“Vrasësit e së ardhmes”/ Megaoperacioni mbarëkombëtar shkatërron grupet e shpërndarësve…
Qindra të arrestuar në të gjithë vendin gjatë për shpërndarje të lëndëve narkotike. Megaoperacioni u zhvillua njëkohësisht përgjatë mbrëmjes së kaluar dhe orëve të para në Tiranë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Dibër, Gjirokastër e të gjitha DVP e tjera të vendit. Në vazhdën e megaoperacionit “Tempulli”, ku u arrestuan mbi 200 persona që shpërndanin lëndë narkotike kryesisht në afërsi të shkollave, edhe ky megaoperacion kishte këtë fokus të veçantë.
Në pak muaj, edhe pse në dy vite të ndryshme, është bërë e mundur, për herë të parë, në një hark të shkurtër kohor, shkatërrimi i grupeve kriminale që furnizonin me lëndë psikotrope këdo, madje edhe adoleshentët.
Një hetim i nisur ende pa përfunduar operacioni Tempull në shtator, u finalizua këtë të hënë, datë 22 janar, me urdhër arreste të lëshuara nga gjykatat në vend, për të paktën 300 persona.
Janë goditur kryesuesit e grupeve të shpërndarësve të cilët kanë operuar ndër vite në Tiranë e në rrethe, ditën për diell, larg syrit të uniformave blu.
Ajo që vihet re është fakti se të arrestuarit kanë një grupmoshë relativisht të re, ku dominon ajo nga 20- 35 vjeç.
Duke na risjellë edhe njëherë në vëmendje këtë plagë të thellë të shoqërisë sonë, atë të katapultimit të të rinjve në të bërit para shpejt dhe në rrugë të jashtëligjshme.
Fokusi jo vetëm i policisë, por edhe i yni, si media, sidomos së fundmi, ka qenë pikërisht në luftën e vazhdueshme për goditjen e fenomeneve të tilla, shkatërrues i së ardhmes.
Policia jonë, tregoi edhe njëherë, se i ka të gjitha kapacitetet për të shpërbërë grupe të mëdha e të vogla që vrasin çdo ditë e nga pak, trurin e vendit, rininë dhe jo vetëm.