Vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri/ Si Dritan Rexhepi u bë shqiptari më i kërkuar në botë dhe truri i trafikut global të kokainës
Shqipëria ka fituar betejën ligjore me Anglinë, Belgjikën dhe Italinë për ekstradimin e një prej figurave më të rrezikshme të krimit të organizuar, Dritan Rexhepi. I njohur si një nga shqiptarët më të kërkuar në botë, Rexhepi mbërriti sot në aeroportin e Rinasit nga Turqia, nën masa të rrepta sigurie nga forcat speciale të policisë.
45-vjeçari, i njohur gjithashtu me emrat Gramos Rexhepi, Lulëzim Murataj dhe Edmir Kraja, konsiderohet një nga kriminelët më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe truri pas një prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ai ka një listë të gjatë akuzash dhe dënimesh në disa vende, duke përfshirë vrasje, rrëmbime, trafik droge dhe falsifikim dokumentesh.
Një histori e errët krimesh
Rexhepi ka qenë në shënjestër të drejtësisë që nga mosha 19-vjeçare, kur akuzohet se kreu një vrasje me pagesë, duke qëlluar me kallashnikov policët në një lokal në Krujë. Ai është dënuar në mungesë për këtë krim, por edhe pas arrestimit të tij në vitin 2006, arriti të arratisej nga ambientet e policisë në Durrës.
Karriera e tij kriminale u shtri në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë arratisje spektakolare nga burgjet e Italisë, Belgjikës dhe Spanjës. Në vitin 2011, ai u arratis nga burgu i Voghera-s në Itali duke sharë hekurat e qelisë, ndërsa disa vite më vonë, u arratis nga burgu i Antverpit në Belgjikë duke kaluar mbi një mur.
Truri pas kartelit shqiptar të kokainës
Rexhepi është cilësuar si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, i njohur me emrin “Kompania Bello”, që operonte nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas autoriteteve ndërkombëtare, rrjeti i tij kontrollonte furnizimin me kokainë në disa vende evropiane, duke krijuar një “markë” të vetën në tregun e drogës, me tullat e kokainës të stampuara me emrin “Bello”.
Rexhepi drejtonte operacionet e tij edhe nga qelia, duke përdorur telefona të fshehtë dhe duke urdhëruar vrasje për të ruajtur dominimin e tij. Ai ka qenë në qendër të disa hetimeve ndërkombëtare dhe është përshkruar nga mediat si një “mbret i drogës” me qasje të pakufizuar në sasi të mëdha të kokainës.
Arrestimi dhe ekstradimi në Shqipëri
Pas disa arratisjeve të bujshme dhe një periudhe të gjatë në Ekuador, ku u arrestua në vitin 2014 me 272 kilogramë kokainë, Rexhepi u vu sërish në shënjestër të autoriteteve ndërkombëtare. Arrestimi i tij në Turqi u pasua nga një betejë ligjore mes disa shteteve për ekstradimin e tij, ku Shqipëria arriti të sigurojë dorëzimin e tij.
Mbërritja e Dritan Rexhepit në Shqipëri shënon një fitore për autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, por gjithashtu ngre pyetje të mëdha për ndikimin e tij të vazhdueshëm në botën kriminale edhe nga qelia.