Vrapi me pengesa i fasonit

Mes vështirësive për punonjës dhe kostove të larta, eksportet e industrisë së prodhimit të veshjeve dhe këpucëve arritën 1,1 miliardë euro në vitin 2022, me rritje vjetore 20%, më e larta që nga viti 2015. Rritja erdhi në një kohë që volumet e prodhimit ishin vetëm 5% më të larta se më 2021. Fabrikat shqiptare po shfrytëzojnë përvojën shumëvjeçare për të prodhuar për një segment më të lartë të tregut europian, por ndërkohë po përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve. Kostot më të larta të lëndëve të para, ndryshimet klimatike me dimrin e ngrohtë dhe kriza ekonomike pritet të mbajnë të ngurtë kërkesën në vitin 2023. Përshtatja me krizën po nxit investimet në teknologji
Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, me gjithë vështirësitë që sollën çmimet e larta të lëndëve të para dhe mungesat në fuqinë punëtore, arriti të integrohet në një shkallë më të lartë të zinxhirit të vlerës vitin e kaluar.

Të dhënat zyrtare zbuluan se vlera e eksporteve arriti në mbi 135 miliardë lekë (1,1 miliardë euro) me rritje vjetore mbi 20%, më e larta që nga viti 2015. Rritja në këto nivele u mbështet nga çmimet më të larta që morën prodhuesit shqiptarë nga klientët europianë, pasi eksportet në sasi shënuan zgjerim me vetëm 5%.

Florian Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, shpjegoi se sektori po orientohet gjithnjë e më shumë drejt segmenteve të tregut me vlerë të lartë. Vitin e kaluar, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para, prodhuesit shqiptarë të veshjeve dhe këpucëve negociuan çmime më të larta me furnitorët.

Mes vështirësive për punonjës dhe rritjes së kostove, sektori po përpiqet të hyjë në një shkalë më të lartë të zinxhirit të vlerës.

Eva Laro, e cila zotëron një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës në vend, ka kontrata me markat prestigjioze të tregut europian, si Clarks, Josef Siebel, që i referohen një niveli mesatar të konsumatorëve.

Pothuajse të gjitha fabrikat prodhojnë për nivelin mesatar të tregut europian, teksa po synojnë klientë mbi këtë nivel dhe të diversifikohen edhe me vende të tjera, përveç Italisë.

Lufta në Ukrainë ishte një shans tjetër për industrinë. Shumë kompani europiane, që më parë prodhonin atje, nisën të kërkonin vende të tjera në Europë për të zhvendosur prodhimin dhe Shqipëria u bë tërheqëse për shkak të afërsisë gjeografike dhe kostove ende të ulëta të prodhimit.

1,1 miliardë euro eksporte, 78% varësi nga tregu italian

Njësitë e prodhimit të tekstileve dhe këpucëve realizuan vitin që shkoi 135 miliardë lekë, ose mbi 1,1 miliardë euro nga eksporti, duke shënuar rekord të ri historik.

Edhe pse ka përpjekje për diversifikimin e kontraktorëve, në vitin 2022, fabrikat shqiptare shfaqën sërish varësi të lartë nga tregu italian, në të cilin u shkuan rreth 78% të eksporteve, thuajse në të njëjtin nivel me vitin 2021.

Vlera e veshjeve dhe këpucëve që u eksportuan në Itali arriti në 105 miliardë lekë më 2021, nga rreth 88 miliardë lekë në vitin 2021, me zgjerim gati 20%.

Gjermania u rendit e dyta, me vlerë eksporti prej 8,4 miliardë lekësh ose 6.2% të totalit të eksporteve. Vetëm 15% e eksporteve shkojnë në destinacione si Greqia, Hungaria, Rumania, Franca, Serbia.

Me gjithë ndryshimet e dy viteve në fundit, tregu shqiptar vijon të ketë varësi të lartë nga Italia. Edhe pse ka përpjekje për të gjetur kontraktorë të rinj në vende të tjera si Spanjë dhe Gjermani, sërish Italia mbetet destinacion monopol.

Ndër dekada, varësia ka krijuar dembelizëm në sektor, i cili nuk po bën përpjekje për të realizuar ciklin e mbyllur, por vijon të ofrojë shërbime ndaj porositësve italianë që i sjellin proceset gjysmë të gatshme, duke realizuar vetëm qepjen në Shqipëri.

Kjo mënyrë pune ofron më shumë siguri për fabrikat shqiptare, pasi gjatë pandemisë Covid-19 ato që kishin realizuar ciklin e mbyllur dhe ishin të pavarura në tregjet e shitjes, u përballën me falimentim.

Z. Zekja tha se vitin e kaluar pati kërkesë të lartë për të prodhuar në Shqipëri dhe sidomos pas luftës në Ukrainë. Fabrikat pohuan se në fakt, kërkesa nisi që në vitin 2020 me pandeminë Covid-19, ku zinxhirët e furnizimit u dëmtuan nga kufizimet në lëvizje dhe kostot e transportit u rritën disafish.

Tendenca u përforcua edhe më shumë nga lufta në Ukrainë. Për disa kompani, kërkesa ka qenë gati 200% më e lartë se kapacitetet e prodhimit, por rritja e prodhimit po kufizohet nga mungesa e punonjësve. Po bëhen thuajse 5 vite që sektori i fasonerisë rendit fuqinë punëtore pengesë kryesore për zgjerim.

Çmimet e eksportit u rritën me 13%, më shumë fitime për fabrikat

Vitin e kaluar, një kilogram këpucë dhe tekstil i prodhuar në Shqipëri kushtoi 2200 lekë, me rritje 13% në krahasim me 2021. Kjo do të thotë se këpucët apo veshjet e prodhuara në vendin tonë vitin e kaluar janë shitur të paktën 13% më shtrenjtë.

Kjo ishte rritja më e lartë e çmimit të shitjes, që kur ky lloj aktiviteti nisi në vendin tonë. Prodhuesit sqarojnë se kjo rritje nuk është përkthyer e gjitha në fitim, pasi një pjesë e saj ka shkuar për të mbuluar kostot e lëndëve të para.

Eva Laro, nga fabrika e prodhimit të këpucës ProDyn, tha se vitin e kaluar pati rritje të përgjithshme të kostove. Për lëndët e para, rritja ishte 8-10%, ndërsa rritja e përgjithshme ishte rreth 20%. Çmimet më të larta të energjisë dhe rritja e pagave të punonjësve, si rrjedhojë e rritjes së pagës zyrtare minimale, shtuan më tej shpenzimet për fabrikat.

Me gjithë rritjen e kostove, fabrikat pohojnë se kishin më shumë fitime vitin e kaluar. Flori Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, i cili zotëron një fabrikë të prodhimit të veshjeve, tha se vitin e kaluar arriti të negociojë çmime më të mira me kontraktorët, ndërsa në krahun tjetër ka mbajtur nën kontroll kostot, duke investuar në teknologji dhe panele diellore.

Industria po ndikohet nga ndryshimet klimatike

Temperaturat e larta që karakterizuan Europën dhe sidomos Italinë deri në fillim të janarit 2023 pritet të ndikojë negativisht porositë për dimrin e ardhshëm.

Moti i ngrohtë deri në mes janari ka penguar shitjet e veshjeve të dimrit, pasi në temperatura që shkuan mbi 25 gradë në Krishtlindje, askush nuk do të donte të blinte pallto e xhupa të rëndë dhe këpucë të stinës, nëse nuk dinin se kur do t’i vishnin.

Zonja Laro tha se shitësit e pakicës janë plot me stoqe. Kjo do të ndikojë në një kërkesë më të ulët për të prodhuar veshje të reja për sezonin e dimrit të ardhshëm.

Ngrohja e motit, që është kthyer në shqetësim për shumë sektorë të jetës, sidomos për ushqimin,  është një problem edhe për biznesin e veshjeve.

Një situatë e ngjashme ishte pesë vite më parë, ku dimri i ngrohtë rriti stoqet e këpucëve, duke sjellë rënie të porosive në vitin paraardhës. Situata pritet të përsëritet këtë vit dhe do të ushtrojë presion për porositë në fabrikat shqiptare.

Z.Zekja tha se dimri i ngrohtë do të ndikojë në rënie të porosive në mesin e këtij viti, kur nisin porositë për sezonin e ardhshëm dimëror.

Ngjarjet ekstreme të motit gjithashtu po bëhen shkak për reduktimin e prodhimit të lëndës së parë si pambuku dhe leshi merinos.

Kompania Merino e Zelandës së Re, e cila mbarështon 19,000 dele Merino në 12,000 hektarë tokë, është furnizues afatgjatë i markës “Icebreaker”, u shkatërrua tërësisht nga përmbytjet e vitit të kaluar.

Modelet e motit kanë ndryshuar, pasi vera është më e thatë dhe reshjet janë të përqendruara. Toka e thatë nuk mund të mbajë aq shumë kafshë, të cilat përveçse janë baza e ushqimit për njerëzit, janë edhe baza e lëndës së parë për tekstilet dhe lëkurët e këpucëve.

Markat e veshjeve po krijojnë partneritete afatgjata me fermat, duke mbështetur kultivuesit me investimet e nevojshme, duke premtuar se do të kryejnë blerje afatgjata për një numër të caktuar vitesh.

Në Mongoli, ngjarjet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta, duke shkaktuar ngordhje masive të bagëtive dhe shkatërrimin e prodhuesve të Kashmirit. Prodhimi i fibrave natyrore po bëhet më i paqëndrueshëm, pasi gjithnjë e më shumë po rritet konkurrenca për të përdorur tokën në shërbim të ushqimit në vend të veshjeve.

Markat mund të marrin në konsideratë reduktimin e prodhimit të lëndëve të para në fusha me alternativat e reja të gjeneratës së ardhshme, riciklimin. Me ndryshimet klimatike dhe krizën e biodiversitetit, bota natyrore po shënon rënie të aftësisë për të përmbushur vëllimin e kërkesës.

Ekspertët e industrisë tekstile rekomandojnë aplikimin e modelit të ekonomisë qarkulluese, si qasja më e qëndrueshme për industrinë e modës.

Prodhimi i pambukut po ndikohet nga thatësirat dhe ndryshimet e klimës, ndërsa celulozat e prodhuara nga njeriu, duke përfshirë viskozën, janë bërë gjithnjë e më të njohura në prodhimin e veshjeve.

Studimet rreth industrisë tekstile tregojnë se rreth 200 milionë pemë priten për të bërë viskozë, pëlhurë prej fije artificiale dhe celulozë të prodhuar nga njeriu çdo vit. Në tetor 2022, mbi 500 marka, duke përfshirë Stella McCartney, H&M, Zara, PVH dhe Kering, u angazhuan për të mos përdorur pyjet në zinxhirët e të tyre të furnizimit.

Mungesa e punonjësve do të pengojë zgjerimin

Shqipëria do të ishte Kina e vogël e Europës, nëse popullsia do të rritej me ritmet e vitit 1990 dhe emigracioni nuk do të ishte një fenomen i përhapur.

20 vite më parë, në dyert e fabrikave të veshjeve dhe këpucëve kishte gjithmonë radhë të gjatë me gra e vajza që kërkonin punë.

Edhe pse pagat dhe kushtet e punës ishin skllavëruese, fabrikat ishin punëdhënësi më premtues për popullsinë e re që iu shtua Tiranës pas viteve 1990 nga të gjitha qarqet e vendit.

Ato u bënë një burim i madh punësimi sidomos për gratë dhe vajzat e reja.

Por tani që ritmet e rritjes së popullsisë kanë rënë nga lindjet më të pakta dhe emigracioni i lartë, fabrikat e fasonit, jo vetëm që nuk janë tërheqëse për punonjësit e rinj, por nuk po arrijnë të mbajnë edhe ata ekzistues.

Vajzat e reja nuk parapëlqejnë ta nisin karrierën në një fabrikë, përveçse në rastet kur kërkohet kualifikim më i lartë.

Sipas të dhënave të INSTAT, industria punësonte gjithsej 48 mijë persona në vitin 2020, por punësimet reale janë edhe më të mëdha, pasi sektori ende karakterizohet nga informaliteti i lartë. Shoqata e pohon se aktualisht ka nevojë së paku edhe për 20 mijë punonjës të rinj, të cilët mungojnë në tregun e punës.

Tentativat për të përmbushur mangësitë me punonjës nga Azia dhe Afrika nuk po rezultojnë efektive. Shqipëria është një treg i vogël për punë dhe për pasojë, kompanitë shqiptare përballen me kosto të larta të importit të punonjësve të huaj, pa pasur të sigurta përfitimet, – tha Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës për burime njerëzore.

Z. Pashaj thotë se kostot aktuale që një firmë duhet të paguajë për një punonjës nga Nepali janë 1200 euro dhe më pas, një pagë neto 550 euro në muaj. Nëse një kompani paguan për 10 punonjës nga Nepali, 50% e tyre mund të jenë totalisht joproduktivë.

P.sh. në një kompani shqiptare që ka marrë me kontratë pesë nepalezë, dy prej tyre ishin shumë dembelë, dy afër normalitetit dhe një shumë i mirë.

Por ndërkohë, marrja e tyre me paga shumë të larta largoi punonjësit shqiptarë që paguheshin më pak. Produktiviteti i punonjësve nga vendet e Azisë mund të jetë i pranueshëm në rastet ku kompanitë marrin qindra punonjës.

P.sh. në Serbi dhe Hungari, që janë duke sjellë në tregun e punës punonjës nga Nepali, kanë kushte të përshtatshme, pasi ofrojnë pagë në mesataren e punonjësve vendas, teksa agjencitë kontraktojnë në mënyrë masive, duke ulur kostot për kompanitë, ndryshe nga Shqipëria, ku zakonisht kërkesat nga bizneset janë për nga 10 a 20 punonjës, tha ai.

Sjellja e punonjësve të huaj me paga më të larta mund të shkatërrojë marrëdhëniet me vendasit, të cilat nuk paguhen më shumë se 300 euro.

Punonjësit, rritet konkurrenca e brendshme nga industria automotive

Vështirësitë në përmbushjen e nevojave me punonjës po thellohen edhe më shumë nga konkurrenca e brendshme. Fabrikat në industrinë automotive që janë futur në treg dekadën e fundit po tërheqin punonjës nga fabrikat e fasonit.

Pagat më të larta dhe fleksibiliteti në orare i kanë bërë fabrikat e industrisë automotive më konkurruese. Duke qenë se kompanitë vijnë nga vendet të zhvilluara dhe operojnë një segment më të lartë të zinxhirit të vlerës janë më konkurruese në paga dhe kushtet e punës.

Kompanitë Forschner, Delmon, Yura, PSZ, SEWS Cabind që prodhojnë pjesë të sistemeve kabllore për automjetet, po zgjerojnë numrin e fabrikave dhe për vitin 2023 kanë lajmëruar zgjerim të mëtejshëm në punonjës.

Në kushtet e mungesës së fuqisë së re punëtore, fabrikat po tërheqin gjithnjë e më shumë punëtorë nga fasoni, duke i vënë këtë fundit në vështirësi.

Mangësitë në punonjës po nxisin investimet në teknologji

Rritja e porosive për të qepur veshje dhe për të prodhuar këpucë në Shqipëri është rritur shumë vitin e kaluar dhe nga ana tjetër, tkurrja e numrit të punonjësve po i çon fabrikat e fasonit në investime të detyruara në teknologji.

Importet e robotikëve, sidomos në prestari dhe qepje, janë shtuar shumë në mënyrë që prodhimi të rritet në kushtet e rënies se punëtorëve.

Z. Zekja, nga Shoqata Pro-Eksport, tha se pothuajse të gjitha fabrikat kanë investuar në blerjen e teknologjisë së fundit. Të dhënat nga doganat për vitin 2022 tregojnë se importet e “makineri – pajisjeve” arritën në 187 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje 10% në krahasim me vitin 2021. Ai tha se një pjesë e konsiderueshme e këtij zëri u përket makinerive për fasonin.

Njësitë e tekstilit po investojnë në prestaritë automatike me laser. Një makineri e tillë kushton nga 150 deri në 500 mijë euro, por përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i saj janë të mëdha.

Një makinë e tillë zëvendëson së paku katër punonjës, tha z. Zekja, i cili pohoi se fabrikat i kanë shtuar blerjet e tyre. Makineritë e zakonshme të prerjeve po zëvendësohen me makineritë “Computer stitching”.

Zonja Eva Laro tha se, më 2021 investoi në blerjen e këtyre makinerive. Një makinë qepëse kompjuter përdoret për të kontrolluar procese të ndryshme punës. Tekstili është një nga industritë më të vjetra në histori.

Madje revolucioni industrial nisi pikërisht në Britaninë e Madhe nga përparimet në tezgjah dhe në endje ku u shpikën makineritë e para për të zëvendësuar punën me dore. Nevoja për të krijuar materiale dhe pëlhura të reja, së bashku me metodat e reja për krijimin e tyre, po çon në një revolucion në tekstile që mund të ndryshojë gjithçka.

Zhvillimet teknologjike në fabrikat e qepjes po përparojnë shpejt për të ulur edhe varësinë e prodhimit nga njerëzit. Tashmë janë në shitje dhe në funksion robotët që qepin, rrobat që nuk kërkojnë qepje, printimi i rrobave me një printer 3D, printimi dixhital që po mundëson prodhimin e shpejtë dhe të lirë të modeleve unike me porosi.

Energjia dhe lëndët e para, sfidat e reja të fasonit

Çmimet e larta të energjisë dhe lëndëve të para janë kthyer në shqetësime për industrinë e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, sidomos pas luftës në Ukrainë. Energjia elektrike dhe çmimet e larta të saj janë shqetësim kryesor i fabrikave shqiptare.

Çmimi i energjisë u shumëfishua në bursë vitin e kaluar ka rritur pasiguritë për furnizim normal. Këto zhvillime kanë ndikuar, deri diku, pozitivisht pasi shumë fabrika edhe në sektorin fason kanë përshpejtuar planet e investimeve për të siguruara në energji në mënyrë të pavarur nëpërmjet paneleve diellore.

Zoti Zekja tha se shumë fabrika kanë instaluar panele vitin e kaluar dhe ky lloj investimi po zgjerohet ne të gjitha njësitë e prodhimit për të ulur kostot e larta të furnizimit nga tregu.

Përveç energjisë, kostot e furnizimit me lëndë të para dhe pasiguritë për burimet e furnizimit janë rritur me tej.

Eva Laro tha se pas luftës, janë rritur ndjeshëm kostot nga rritja e çmimeve të energjisë, por edhe materialeve dhe lëndëve të para me një mesatare mbi 20% vitin e kaluar.

Gjergj Leqejza i cili zotëron fabrikën e prodhimit tekstil “Madish” në Shkodër, tha se kostot e prodhimit janë rritur njëzëri, duke filluar nga 25 deri mbi 100%, të cilat, sipas tij, janë pengesa kryesore për qëndrueshmërinë e sektorit në të ardhmen.

Konteksti gjeopolitik në rang global mbetet i pasigurt dhe tani më shumë se kurrë, blerësit e tekstilit përballen me nevojën për t’u zhvendosur drejt materialeve natyrore, për të cilat kërkesa konsumatorë është rritur.

P.sh., industria e pambukut po kalon problematika të mëdha që lidhen me dobësitë në prodhim dhe kostot e larta të transportit. Deficitet në prodhimin e pambukut organik kanë rritur edhe manipulimet në treg.

Bursa e Tekstileve ka lëshuar alarmin e një hendeku të pashpjegueshëm midis vëllimeve të prodhuara të pambukut dhe vëllimeve që etiketat e modës pretendojnë se janë paraqitur në koleksionet e tyre. D.m.th. prania e pambukut në produktet finale raportohet shumë më tepër se sa është prodhuar realisht.

Kriza ekonomike do të ndikojë negativisht kërkesën për veshje

E gjithë bota, por sidomos Europa u përball vitin e kaluar, me rritje jo të zakontë çmimesh, që nuk ishte parë në dekada. Rritja që nisi me kalimin e pandemisë u përforcua edhe më shumë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Çmimet e ushqimeve u rritën gati dyfish më shumë se, rritja e përgjithshme. Ecuria e çmimeve ka dobësuar konsumin, pasi ka rënë fuqia blerëse pothuajse në të gjithë kontinentin.

Kur vjen fjala për të kursyer, veshjet dhe këpucët janë të parat. Zakonisht pagesat e qirave, ushqimeve dhe faturave të tjera nuk mund të shtyhen, por rinovimi i gardërobës pret.

Duke marrë në konsideratë këtë sjellje të konsumatorëve, industria e veshjeve pret rënie të kërkesës në vitin 2023. Fabrikat shqiptare pohuan se, për shkak të dobësive që po kalon ekonomia e Europës do të bjerë kërkesa për porosi në Shqipëri.

Por kjo nuk do të ndikojë në rënien e eksporteve, pasi njësitë shqiptare të prodhimit po përballen me një fluks pune, të cilin nuk po munden ta përballojnë edhe nga zhvendosja e prodhimit nga Ukraina.

Monitor.al