“Vrapi 102 mijë eurosh”! Shqiptari i rekratuar për shpejtësinë, grabit agjentin e infiltruar dhe zhduket si në film: M’u dhanë paratë, nuk e preka!
Një ngjarje që duket e marrë nga skenarët e Hollivudit është rikthyer në vëmendjen e drejtësisë austriake, gati 10 vite pas zhvillimit të saj. Në qendër të historisë ndodhet një 30-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për vjedhjen e 102.000 eurove gjatë një operacioni antidrogë të dështuar në qytetin Eugendorf, pranë Salzburgut, më 18 dhjetor 2015.
Sipas aktakuzës, gjithçka ndodhi në momentin kur një oficer i policisë i maskuar si blerës droge dorëzoi dy pako me para për blerjen e 7 kilogramëve heroinë. 30-vjeçari shqiptar, i ulur pranë tij në makinë, mori pakot, kontrolloi një kartëmonedhë me stilolaps UV dhe më pas veproi papritur: e shtyu lehtë agjentin dhe iku me vrap.
Megjithatë, i akuzuari mohoi përdorimin e forcës: “Nuk e preka. Ai më dha paratë dhe unë thjesht ika me vrap”, deklaroi ai në sallën e gjyqit, duke theksuar se nuk ishte grabitje por thjesht vjedhje. Prokurori kërkoi dënim për grabitje, por gjykata vendosi se nuk kishte prova për përdorimin e dhunës.
Në një nga detajet më të pazakonta të procesit, mbrojtja e të pandehurit deklaroi se ai ishte përfshirë në krim pikërisht për aftësinë e tij fizike: kishte qenë futbollist dhe rekrutuesit e zgjodhën si “njeri që vrapon shpejt”. Dhe kjo strategji rezultoi efektive: pasi rrëmbeu paratë, shqiptari ia doli të zhdukej përmes një fushe të hapur drejt autostradës, duke u rrëzuar dy herë, madje edhe u fsheh në një fuçi për të shmangur ndjekjen e policisë.
Policia nuk mundi ta kapte atë ditë, edhe pse kishte rrethuar zonën për shkak të operacionit. Ai u zhduk për rreth një vit, derisa më 16 nëntor 2016 u arrestua në Greqi në bazë të një urdhër-arresti europian.
Në gjyq, ai kërkoi falje dhe tha se kishte bërë një gabim të madh, por paratë prej 102 mijë eurosh ende mungojnë. Ai pretendoi se “i kishte humbur” gjatë arratisë.
Historia nuk mbaron me kaq. Gjyqi i mëparshëm kundër bashkëpunëtorit të tij 26-vjeçar zbuloi një seri skandalesh brenda policisë. Oficerë të përfshirë kishin dhënë dëshmi të rreme dhe kishin falsifikuar raporte hetimore. Njëri prej tyre, sipas gjykatësit, kishte përdorur “gënjeshtra për të mbrojtur informatorët e tij”. Hetuesi i fshehtë që kishte inskenuar blerjen e drogës u akuzua për shpërdorim detyre, ndërsa çështja penale kundër tij iu delegua një prokurorie tjetër për të shmangur konfliktin e interesit.
Në fund, 30-vjeçari shqiptar u dënua me 15 muaj burg për vjedhje të rëndë, nga të cilat 5 muaj do t’i vuajë pa kushte. Edhe 26-vjeçari u dënua më parë me 12 muaj burg, nga të cilat 4 pa kushte.
Megjithatë, e gjithë ngjarja mbetet një rrëfim i habitshëm për mënyrën sesi një plan policor kundër trafikut të heroinës u kthye në një histori ku humbën paratë, u diskreditua policia dhe “vrapuesi” shqiptar u bë protagonist i një skandali që tronditi drejtësinë austriake.