Vranë babanë dhe e groposën në kasollen e bagëtive, Prokuroria përfundon hetimet për Hygerta Metën, si edhe dy vëllezërit e saj! Ja akuza e ngritur ndaj tyre

Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen penale për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta, që dyshohen për vrasjen e babait të tyre Pëllumb Meta, krim që tronditi vendin.

19-vjeçarja dhe vëllai i saj më të madh, Hyseni, akuzohen për veprën penale “vrasje me paramendim”, ndërsa Amarildo Meta për veprën penale “asgjësimi i kufomës”.

Ngjarja e rëndë, arsyet e së cilës mbeten ende mister, ndodhi më 10 shkurt, por u zbulua nga policia vetëm më 24 shkurt, disa ditë pasi djali i madh i viktimës, Hyseni, denoncoi zhdukjen e të atit.

Hygerta dhe Hysen Meta akuzohen se kanë vrarë të atin, ndërsa dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tyre Amarildon, më pas e groposën në sallën e bagëtive, ku edhe u gjet trupi i pajetë i viktimës.

25-vjeçari Hysen Meta akuzoi të motrën, Hygertën, si autore të krimit duke u shprehur se ishte ajo që e qëlloi për vdekje të atin.

Nuk e kam bërë unë, të flasë ai që e ka bërë. Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi. Donte ta fejonte me zor babai. Unë nuk kam pasur marrëdhënie të mira, kam qenë i hutuar, na erdhi keq për atë që i ndodhi babai”, tha i riu gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më 26 Shkurt.