Voton Monika Kryemadhi! Shoqërohet nga e ëma dhe djali i saj: Votoni! E vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë demokraci të brishtë
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka votuar sot në Qendrën e Votimit në shkollën “Edit Durham” në kryeqytet, e shoqëruar nga e ëma, Fatime Kryemadhi, dhe djali i saj. Kryemadhi, e cila nuk kandidon për deputete në zgjedhjet e 11 majit, ka shprehur mbështetje për ish-bashkëshortin Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli.
Pas nënës, e para që hodhi votën ishte deputetja, dhe më pas djali i saj. Pas përfundimit të procesit të votimit, Monika Kryemadhi bëri një apel për qytetarët, duke i inkurajuar të dalin në votime. Ajo u shpreh se “votimi është e vetmja mundësi për ta shpëtuar këtë demokraci të brishtë.”
“Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të shkojnë të votojnë, sepse në fund të ditës indiferenca është vrasje e demokracisë. E vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë demokraci të brishtë është të shkojnë të votojnë dhe kush do ndryshimin, të japë ndryshimin”, theksoi Kryemadhi.