Që prej orës 7:00 të mëngjesit të sotëm, mbi 23 mijë himarjotë kanë të drejtë të shprehin vullnetin e tyre me votë. Veç problematikës së nisjes me vonesë të votimit në disa Qendra Votimi, problematika më madhore e gjithë këtij procesi ishin kartat e skaduara të 6 mijë personave. Arsye që bëri të zbresë në Himarë edhe kreu i KQZ për të sqaruar situatën.
Nga ana tjetër akuza kanë ardhur edhe nga kandidati i koalicionit të Bashkë Fitojmë, Petro Gjikuria, i cili tha se një vit më parë, kush kishte ID të skaduar u lejua të votonte.
Kësaj akuze ju përgjigj edhe kreu i KQZ, duke thënë se nuk është përgjegjësi e institucionit të tij, por duhet të ishte marrë më herët një vendim nga Këshilli i Ministrave, duke hedhur kështu poshtë çdo shpresë se mund të kishte një mundësi që këta të fundit të votonin.
Ndërsa kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo e konsideroi si baraza para ligjit, çdo person që shkoi dhe i kërkoi që të votonte me kopje të ID.
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, në një dalje për mediat hodhi akuza se në qendra votimi ka pasur persona me precdentë penalë, të cilët, sipas tij, kanë cenuar mbarëvajtjen e votimeve. Po ashtu, ai hodhi akuza edhe se kandidati i PS-së, Vangjel Tavo, ka hyrë në garë me 1000 vota plus, duke e konsideruar si sajesë skadimin e kartave të ID.
Po ashtu, incidente kishte edhe me gazetarët në Qendrat e Votimit, ku disa komisionerë nuk lejuan që të raportonin Brenda ambjenteve, edhe pse në rregulloren e hartuar nga Celibashi, një gjë e tillë lejohej.
Deri në orën që flasim, janë mbi 30% e himarjotëve që kanë marrë pjesë në votime. Ndërsa kanë mbetur ende edhe më shumë se dy orë, deri në mbylljen e procesit.