Votimi nga diaspora, KQZ publikon të dhënat: 245,975 emigrantë të regjistruar, votuesi më i vjetër 98 vjeç
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar shqyrtimin e aplikimeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi bëri publike shifrat e regjistrimeve dhe ndau disa detaje interesante mbi procesin.
Sipas KQZ-së, në total 294,155 zgjedhës shprehën interes për t’u regjistruar si votues nga jashtë përmes platformës PER. Nga këto aplikime, 245,975 rezultuan të suksesshme, ndërsa 119,139 kërkesa u refuzuan për shkak të problemeve me dokumentacionin ose mosplotësimit të kritereve.
Detaje nga procesi i regjistrimit
Celibashi bëri të ditur se aplikimi i parë u krye nga një shtetas shqiptar në Gjermani, i cili plotësoi të dhënat e tij më 11 janar, në orën 00:08. Ndërkohë, votuesi më i vjetër i regjistruar është një 98-vjeçar, po nga Gjermania, i lindur në vitin 1927.
Një tjetër rast i veçantë është ai i një shtetasi që ka aplikuar 25 herë për t’u regjistruar në platformë. KQZ njoftoi gjithashtu se 2 marsi ishte dita me numrin më të lartë të kërkesave për regjistrim.
Regjistrimi i partive dhe listat e kandidatëve
Për sa i përket partive politike, deri më tani në KQZ janë regjistruar 53 subjekte, ndërsa koalicionet e regjistruara janë tre. Celibashi sqaroi se deri tani vetëm “Lëvizja Bashkë” ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.
Afati për dorëzimin e listave përfundon më 12 mars, ndërkohë që pritet që partitë kryesore të shpallin kandidatët e tyre në ditët në vijim.