Votimi i emigrantëve, KQZ zgjedh kompaninë për transportin e fletëve me postë, kostoja 40 euro për secilën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që kompania ndërkombëtare DHL të kryejë transportin e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet e 11 majit. Ky proces do të kushtojë 10 milionë euro dhe shpërndarja e fletëve pritet të nisë më 10 prill në 85 shtete ku janë regjistruar votuesit.
Kostoja mesatare për transportin e një flete votimi do të jetë 40 euro. Fletët e votimit do të mbërrijnë në adresat e zgjedhësve të diasporës të vulosura dhe të shoqëruara me një udhëzues për mënyrën e votimit. Votuesi duhet të plotësojë fletën, ta vendosë në një zarf dhe ta dërgojë mbrapsht brenda afateve të përcaktuara.
Ndërkohë, partitë politike shqiptare kanë shprehur shqetësime për faktin se vetëm personi i shënuar në zarf mund ta tërheqë dhe dorëzojë fletën e votimit, çka mund të ndikojë në pjesëmarrjen e votuesve. PS ka propozuar që të lejohet edhe një anëtar i familjes për këtë proces, por ende nuk ka një vendim për këtë çështje.
Për ata që nuk gjejnë emrin e tyre në listat e zgjedhësve të diasporës, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ngritur një platformë online ku qytetarët mund të ankohen deri më 11 prill. Kërkesat do të shqyrtohen nga Gjykata e Tiranës, e cila do të japë një vendim brenda 48 orëve.