Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi e cilësoi sot moment historik votën e diasporës, teksa sqaroi të gjithë procedurën se si do të votojnë emigrantët shqiptarë më 11 maj.
Në një intervistë, Celibashi tha se shqiptarët do të votojnë kudo ku jetojnë.
Duke shpjeguar procedurën si do të kryhet votimi, Celibashi sqaroi se “duhet që nëpërmjet aplikacionit KQZ që duhet shkarkuar në telefon smart apo tablet, apo nëpërmjet faqes së internetit të KQZ duhet të hyjë në rubrikën “Votues nga jashtë”, ku më pas akseson platformën e regjistruesve nga jashtë. Aty kryhet procedura e regjistrimit nga jashtë”.
“Procesi i numërimit të fletëve të votimit nga jashtë bëhet veçmas nga ai i fletëve të votave nga brenda vendit. Votat nga jashtë bëhen për çdo qark, pra zgjedhësit nga jashtë që regjistrin e gjendjes civile e kanë në Tiranë, vota e tyre llogaritet për Tiranën, për shembull. Vota e të gjithë votuesve të qarkut Tiranë administrohet nga KQZ në ambientet e KQZ. Për numërimin ende nuk ka kaluar akti që do të rregullojë procesin nga pikëpamja teknike, por e rëndësishme është që do të zhvillohet nga KQZ nën mbikëqyrjen e KQZ dhe në ambientet e KQZ. Numërimi do të zhvillohet manualisht, por si proces është pak a shumë i njëjtë, si ato të votave brenda vendit, të vëzhguar me kamera. Por ende nuk janë vendosur detajet teknike”, tha Celibashi.