Komisioni Qendror i Zgjedhjeve propozon që votimi elektronik për zgjedhjet e 2025-ës të kryhet në qarqet Elbasan dhe Durrës. Në një shkresë zyrtare drejtuar partive politike, KQZ kërkon një përgjigjie jo më vonë se data 19 Tetor 2024.
Sipas këtij komisioni, ky proces duhet të kryhet vetëm në këto dy qarqe së pari prej burimeve njerëzore dhe së dyti për lehtësi infrastrukture. KQZ thekson se votimi elektronik kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren.
“Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025 apo deri në datën 11 Maj 224 është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknikë dhe njerëzore për zhvillimin e këtij lloj votimi në 5 qarqe. Në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan. Ndaj nëse nga ana juaj vlerësohet me dobi dhe interes shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi. Rekomandoj zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësi logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqet e tjera. Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe distancës me Tiranën mundëson një përgjigjie më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik”, thuhet në shkresën zyrtare.