Vota e Greqisë/ DHL i kthen përgjigje KQZ: Dërgesat janë kryer në përputhje me procedurat standarte
Pas kërkesës për të dhënë sqarime lidhur me disa problematika të konstatuara në Greqi kompania postare DHL i ka kthyer përgjigje KQZ-së . Me anë të një shkrese, thotë se numri i zarfeve të dorëzuara në Greqi është 61 106, ndërsa të tërhequra janë 52 944.
Në përgjigjen që DHL i ka kthyer KQZ, bëhet me dije se nga dërgesat e padorëzuara 4 449 deri më 9 maj, kompania thotë se 4143 kishin adresa të pasakta dhe pjesa tjetër janë kërkuar nga vetë marrësi që të mbahen nëpërmjet shërbimit On Demand Delivery. Nga këto dërgesa të padorëzuara, thotë kompania, janë bërë 2 780 përpjekje për dorëzim.
Lidhur me ankesat për procesin në Greqi, DHL thekson se procesi nuk është deleguar dhe se dërgesat janë kryer në përputhje me procedurat standarte, të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim.
Gjithashtu sipas kompanisë, të gjithë emigrantëve u është dërguar sms apo e-mail dhe se “njoftimet janë bërë që me krijimin e AWB(numrit të gjurmimit) në Tiranë e në vazhdimësi, përfshirë edhe vendndodhjen e dërgesës në pikat e shërbimit kur dërgesa nuk është bërë e mundur të dorëzohet apo ka pasur adresë të gabuar.”