Vota e diasporës/ Mbyllet numërimi, nuk ndryshojnë mandatet, zarfet nga Greqia do të ….

Numërimi i votës së diasporës ka përfunduar në 12 qarqet e Shqipërisë, por 53 mijë votat e emigrantëve të Greqisë kanë mbetur ende peng, pas kontestimeve të PD që çdo zarf i ardhur nga shteti helen të ndaj veç. Në total janë numëruar 145 441 zarfe nga 194 889 dhe mbeten pa numëruar 53 mijë zarfe nga Greqia, fatin e të cilave do ta vendosë sot në 09:00 në një mbledhje kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Me 12 qarqet që u numëruan nga diaspora nuk kemi ndryshim mandatesh. PS mbetet me 83 mandate në rang vendi, PD me aleatët me rënie drastike me 50 mandate nga 63 që kishte në vitin 2021, PSD merr 3 mandate, 2 Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe nga 1 mandat Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt. Pritet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Celibashi mbi fatin e votës së Greqisë.
Jo vetëm brenda vendit, por edhe në diasporë, Partia Socialiste ka marrë mbështetjen më të madhe nga diaspora me 77 901, ose 54.18% të totalit të votave të numëruara. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet i dyti me 40 510vota ose 28.17%. Në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) me 11 651 vota (8.10%).