Vota e diasporës mbërrin në Shqipëri, dorëzohen 2,784 zarfe në qendrat e votimit

Procesi zgjedhor i 11 majit shënon një moment historik për përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët për herë të parë kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare. Deri më tani, në qendrat e votimit në Shqipëri janë dorëzuar 2,784 zarfe me vota të ardhura nga diaspora.

Në total, 5,225 qendra votimi janë të hapura në të gjithë vendin nga ora 07:00 deri në orën 19:00, për të pritur mbi 3.7 milionë qytetarë me të drejtë vote, përfshirë edhe ata që votojnë nga jashtë vendit. Në këto zgjedhje do të zgjidhen 140 deputetë të Parlamentit të ri, ndërsa në garë janë 2,046 kandidatë që përfaqësojnë 11 parti politike dhe koalicione zgjedhore.

Kjo është hera e parë që në Shqipëri nuk merr pjesë asnjë kandidat i pavarur në ndonjë qark. Gjithashtu, në njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në bashkinë Vorë, votimi dhe numërimi po zhvillohen në mënyrë elektronike, si pjesë e një pilotimi për modernizimin e procesit zgjedhor.