Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën.
Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.
“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha von der Leyen.
E pyetur nëse BE-ja do të vendosë kushtëzime apo sanksione ndaj Serbisë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar se nuk mund ta zbatojë plotësisht marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, von der Leyen tha se gjatë vizitës të martën në Beograd do të diskutojë për hapat drejt njohjes de facto të Beogradit për Prishtinën.
Zyrtarja e BE-së tha se blloku është i përkushtuar për anëtarësimin e Ballkanit Perënidimor. Megjithatë, ajo tha se të gjitha shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së, duhet të respektojnë parimin e fqinjësisë së mirë.
“Çështja kryesore e diskutimeve që kemi me shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikurse me Kosovën dhe Serbinë, është se si mund të punojmë më ngushtë së bashku dhe sigurisht edhe anëtarësimi potencial në BE. Për këtë [anëtarësimit], parimet bazike, vlerat bazike duhet të respektohen dhe zbatohen. Prandaj është zgjedhja e një shteti që kur dëshiron të lëvizë përpara, me të gjitha efektet pozitive që ka në ekonomi dhe financim, në mundësi më të mëdha biznesi… pra, është zgjedhja sovrane e një shteti nëse dëshiron të ecë në rrugë me ne, apo zgjedh ndryshe. Parimi i BE-së është normalizimi i raporteve fqinjësore, i raporteve të mira fqinjësore”, tha shefja e KE-së./ rel