Vodhi 15 000 euro në një banesë, arrestohet 38-vjeçari

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Key” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.

Vodhi 15 000 euro në një banesë, arrestohet 38-vjeçari. Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të vjedhura, që u gjetën në banesën e autorit të dyshuar, një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Key”.

Si rezultat i tij u arrestua shtetasi O. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Ky shtetas dyshohet se më datë 25.08.2024, ka vjedhur shumën 15 000 euro në një banesë në Komunën e Parisit.

Eqerem Hasani  është personi që i janë vjedhur paratë, me detyrë shef i urgjencës së sëmundjeve të brendshme në QSUT. Para një jave doktori i ka dhënë 50 mijë euro borxh autorit të vjedhjes, procedurë që e kanë mbyllur me dokumentacion në noteri. Doktori ka harruar çelësin e apartamentit në makinën e Olsi Bibollarit, dhe ky i fundit e ka marrë dhe ka shkuar në shtëpinë e doktorit, e ka hapur dhe ka marrë lekët.

Denoncimin e ka bërë vetë doktori në polici dhe pasi kanë hapur kamerat dhe provat e tjeta është identifikuar. Autori është biznesmen, ka lokale e biznese të tjera. Lokal Ogi pranë Oxhakut është një prej tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të vjedhura, një automjet, dhe veshje të cilat autori i dyshuar i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes. Materialet i kaluan Prokurorisë.