Vodhën me dhunë celularin e të riut, arrestohet 32-vjeçari në Elbasan, në kërkim bashkëpunëtori

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i morën me dhunë celularin një 31-vjeçari, policia identifikon 2 autorët.

Vihet në pranga njëri prej autorëve dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër.

Të dy autorët me precedent penal për vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas kallëzimit të një 31-vjeçari se në lagjen “5 Maj”, dy shtetas i kishin marrë me dhunë aparatin celular, kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan u bë i mundur identifikimi i dy autorëve të rastit.

Në vijim të veprimeve operacionale u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit K. B., 32 vjeç, banues në Elbasan; si dhe shpallja në kërkim e autorit tjetër shtetasit K. T., 38 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Këta 2 shtetas, gjatë orëve të para të mëngjesit, të datës 19.06.2025, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë me dhunë celularin një 31-vjeçari, në lagjen “5 Maj”.

Vijon puna për kapjen e 38-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.