Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona si autorë të dyshuar për vjedhjen e një shume prej 100 mijë eurosh në banesën e një ish-mjekeje në lagjen “Ura Dervishbeg”. Ngjarja ka ndodhur më 12 shkurt, ndërsa policia ka nisur hetimet dhe ka kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve.
Të shpallur në kërkim janë shtetasit:
• Frederik Shambi, 27 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim;
• Mikel Gjoni, 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, policia ka sekuestruar 3 maska, 1 kapuç, 5 celularë, 5 palë targa dhe sende të tjera të dyshuara që lidhen me aktivitetin kriminal. Ndërkohë, në banesën e 34-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një sasi e lëndës narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Policia po vijon punën për kapjen e dy shtetasve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.