Vlorë/ Tabakot maskonin trafikun e drogës! Arrestohen tre persona, sekuestrohen doza kokaine e kanabisi

Tre persona kanë përfunduar në pranga në Vlorë, pas një operacioni të koduar “Tabacchino”, i cili zbuloi një skemë të dyfishtë të trafikut të drogës dhe shitjes së mallrave të kontrabanduara, të maskuar pas dyqaneve të llojit tabakino.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Vlorës arrestoi në flagrancë shtetasit D. B., 40 vjeç, K. V., 44 vjeç dhe A. T., 39 vjeç, të tre banues në qytetin bregdetar. Ata akuzohen se kishin përshtatur subjektet e tyre tregtare si pika për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe për tregtimin e cigareve pa pullë fiskale.

Gjatë kontrolleve në dy dyqanet në fjalë, të cilat ndodheshin në përdorim nga të arrestuarit, policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, si dhe një sasi paketash cigaresh që dyshohen të jenë të kontrabanduara.

Operacioni vjen si pjesë e një përpjekjeje të zgjeruar për të goditur rastet e trafikut të drogës në mjedise që maskohen si biznese të ligjshme, në këtë rast tabakot që ofronin më shumë se cigare.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për vijimin e procedurave.