Vlorë/ Rritje shqetësuese e rasteve me viroza stinore! Mbi 800 pacientë në një javë
Qyteti i Vlorës po përballet me një valë shqetësuese të virozave stinore, me mbi 800 raste të regjistruara vetëm gjatë javës së fundit. Kjo shifër është disa herë më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa autoritetet shëndetësore e përshkruajnë situatën si alarmante.
Shefi i Epidemiologjisë në Vlorë, Agron Bashllari, ka theksuar se gripi që po qarkullon këtë vit është veçanërisht agresiv dhe ka shkaktuar një numër të lartë komplikacionesh respiratore, duke detyruar shumë pacientë të kërkojnë ndihmë mjekësore në spital.
“Situata është shqetësuese. Mungesa e vaksinimit kundër gripit dhe neglizhenca për masat mbrojtëse kanë çuar në rritjen e rasteve. Jemi ende larg kulmit të sëmundshmërisë,” tha Bashllari.
Specialistët theksojnë se grupet më të rrezikuara nga komplikacionet e gripit mbeten fëmijët, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Agron Bashllari bëri thirrje për vaksinim të menjëhershëm, duke theksuar rëndësinë e kësaj mase për të parandaluar dhe lehtësuar përballimin e sëmundjes.
“Vaksinimi është një masë e domosdoshme për të ulur ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve. Situata mbetet nën monitorim të rreptë,” shtoi ai.
Mjekët parashikojnë se kulmi i virozave stinore pritet të arrihet në muajin shkurt. Sidoqoftë, numri i vizitave mjekësore gjatë tre javëve të para të janarit ka qenë tepër i lartë, duke nxjerrë në pah nevojën për masa më të forta parandaluese.
Specialistët u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin masat bazë të mbrojtjes, përfshirë vaksinimin, shmangien e grumbullimeve dhe kujdesin për higjienën personale, për të minimizuar përhapjen e virozave.