Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight”, duke vënë në pranga dy gra të përfshira në veprimtari të paligjshme të shfrytëzimit të prostitucionit.
Pas një hetimi tre-mujor të kryer me metoda speciale nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetaset:
• E. K., 41 vjeçe – administratore e lokalit ku organizohej prostitucioni
• E. Ç., 39 vjeçe – e cila ushtronte prostitucion kundrejt pagesës
Hetimet zbuluan se 41-vjeçarja shfrytëzonte 39-vjeçaren për prostitucion, duke i siguruar klientë në lokalin e saj në qytetin e Vlorës.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një shumë parash të dyshuar si e përfituar nga ky aktivitet kriminal, si dhe një dozë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Ndaj dy të arrestuarave rëndojnë akuzat për “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.