Vlorë/ Lirohet hapësira publike në zonën e “Ujit të Ftohtë”, procedohet penalisht 1 person
Goditet një rast i pushtimit të hapësirës publike në zonën e “Ujit të Ftohtë”, procedohet penalisht një shtetas që kishte zënë hapësirën duke vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Policisë Bashkiake, gjatë kontrolleve të ushtruara në vijën bregdetare të qytetit, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, konstatuan se shtetasi F. B. kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë publike, duke vendosur pa leje 35 çadra dhe 70 shezlongë, për përfitim të kundërligjshëm.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit F. B., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin bregdetar të Vlorës, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e hapësirave të lira për pushuesit.