Vlorë dhe Sarandë, zbardhen disa vjedhje! Arrestohet 36-vjeçari, shpallet në kërkim një tjetër

Policia ka goditur disa raste të vjedhjeve në Vlorë dhe Sarandë, duke vënë në pranga një 36-vjeçar dhe duke shpallur në kërkim një tjetër shtetas të dyshuar për vjedhje në subjekte tregtare.

Në kuadër të operacioneve kundër krimeve ndaj pronës, policia e Sarandës ka arrestuar A. Z., 36 vjeç, banues në Ksamil, i cili ishte në kërkim për vjedhje me anë të mashtrimit në një karburant dhe dyshohet si autor i disa vjedhjeve në dy subjekte tregtare.

Sipas hetimeve, ai ka vjedhur para nga dy dyqane në Ksamil më 28 shkurt 2025. Po ashtu, më 22 shkurt 2025, ai është paraqitur në një karburant në fshatin Çlirim, ka furnizuar makinën me naftë dhe është larguar pa paguar, duke e mbuluar targën për të shmangur identifikimin.

Vjedhjet në Vlorë
Ndërkohë, policia e Vlorës ka shpallur në kërkim D. B., 37 vjeç, banues në Vlorë, si të dyshuar për dy raste vjedhjeje:
• Më 25 shkurt 2025, ka tentuar të hyjë me forcë për të vjedhur në një subjekt tregtar në lagjen “Pavarësia 3”.
• Më 27 shkurt 2025, ka vjedhur materiale elektrike në një dyqan në lagjen “Pavarësia 2”.

Policia po vijon punën për kapjen e 37-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale për të dyja rastet i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme.