Vlorë/ Arrestohet 32-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori, zbulohen baste sportive në lokal
Një tjetër rast i lojërave të fatit është zbuluar nga policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”. Një lokal në lagjen “Osman Haxhiu” ishte kthyer në qendër të paligjshme aktiviteti me baste sportive dhe lojëra fati.
Në përfundim të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi J. P., 32 vjeç, banues në Vlorë, si një nga organizatorët e aktivitetit të jashtëligjshëm. Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi Xh. Ll., 41 vjeç, pronar i lokalit ku zhvillohej aktiviteti.
Dy të dyshuarit përdornin kompjuterë dhe pajisje elektronike për të organizuar bastet, ndërsa gjatë kontrollit, policia sekuestroi disa pajisje teknologjike që përdoreshin për këtë qëllim.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 21 vjeç, kamarier në lokal, pasi kishte dijeni për aktivitetin, por nuk e kishte kallëzuar në polici.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon punën për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.