Vllaznia për rekorde, shkodranet fitojnë titullin e 10-të radhazi kampion
Vllaznia vazhdon të dominojë futbollin e femrave.
Shkodranet kurorëzuan me titullin kampion sezonin 2022-2023, rivalitet që e zgjidhën vetëm në javën e fundit, në fitoren komode 3-0 ndaj Tiranës. Ekipi i Nikolin Lekës tregoi edhe njëherë forcën në fushën e lojës për të fituar titullin e 10-të radhazi në 13 vite që prej themelimit të saj.
Vajzat kuqeblu e mbyllën kampionatin në kuotën e 54 pikëve pas 18 sfidave, 6 më shumë se Tirana që shpallet nënkampione e vendit. Vllaznia vendos edhe rekorde, pasi në 18 javë njeh vetëm fitore, teksa ka shënuar 127 gola dhe pësuar vetëm një. Ndërkaq, në krahun tjetër bardheblutë kanë pësuar dy humbje, pikërisht përballë Vllaznisë.
Të udhëhequr nga Megi Doçi, Vllaznia kaloi në avantazh në pjesën e parë pikërisht me anë të golashënueses më të mirë në historinë e saj. Doçi u tregua e saktë nga pika e bardhë e penalltisë, për ta dërguar Vllazninë në dhomat e zhveshjeve me avantazhin minimal 1-0.
Pas kthimit në fushë, shkodranët ishin më të qarta në lojë, teksa shënuan edhe golin e dytë. Goli i sigurisë së titullit kampion erdhi në zhvillimin e një goditje nga këndi, me Vllazninë që shënoi për 3-0. Tashmë fokusi i shkodraneve do të jetë në Kupat e Europës, ku synohet përsëritja e këtij sezoni, ku për herë të parë morën pjesë në fazën e grupeve të Champions League.