Vllaznia gjen trajnerin e ri, i beson ish-timonerit të Laçit dhe Skënderbeut
Nuk ka kohë për pushim tek Vllaznia.
Arritja për tu përfaqësuar në Kupat e Europës ka vënë në lëvizje klubin shkodran. Të shumtë janë futbollistët që do të largohen nga kuqeblutë, ndërsa një vëmendje të madhe e ka edhe pankina.
Lamtumira e Goce Sedloski ka detyruan drejtuesit për tu hedhur në sulm për pasuesin e tij. Migen Memelli është ai i zgjedhuri nga ana e kryesisë, që ka vendosur t’i besojë cilësive të teknikut 43-vjeçarit për stolin.
Eksperienca e jashtëzakonshme në elitën e futbollit shqiptar, nën drejtimin e skuadrave si Laçi dhe Skënderbeu ka bindur drejtuesit shkodran.
Në listën e dëshirave të tyre gjendeshin edhe dy profile tepër interesante, si Edi Martini dhe Armando Cungu, por që në fund u vendos për t’i besuar Memellit. Ky i fundit drejtoi Skënderbeun deri pak javë para fundit në kategorinë e Parë, duke kontribuar në ngjitjen e korçarëve.
Memelli do të ketë punë të vështirë përpara për tu përgatitur për eliminatoret e Conference League. Më 20 qershor, Vllaznia do të mësojë kundërshtarin të cilin do e sfidojë më 13 dhe 20 korrik. Rival potencial për shkodranët janë edhe skuadrat shqiptare, Shkëndija e Shkupi nga Superliga e Maqedonisë së Veriut dhe Drita nga Superliga kosovare.