Vlerësimi i i ri i CIA-s: Pandemia COVID-19 mund të jetë shkaktuar nga një incident laboratorik
Një vlerësim i ri i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) sugjeron se pandemia COVID-19 ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga një incident laboratorik, sesa nga transmetimi përmes kafshëve. Ky qëndrim përkon me vlerësimet e FBI-së dhe Departamentit të Energjisë, të cilët gjithashtu besojnë se një aksident laboratorik në Wuhan të Kinës mund të jetë burimi i shpërthimit fillestar të virusit, i cili ka shkaktuar mbi 7 milionë viktima globalisht dhe më shumë se 1.2 milionë në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është një nga vendimet e para të rëndësishme të marra nga John Ratcliffe, drejtori i ri i CIA-s, i cili më parë shërbeu si drejtor i inteligjencës kombëtare gjatë administratës së Donald Trump. Ratcliffe ka qenë një mbështetës i teorisë së rrjedhjes laboratorike dhe ka kritikuar qëndrimin neutral të mëparshëm të CIA-s mbi origjinën e pandemisë.
Në një intervistë të fundit për Breitbart News, Ratcliffe tha: Një nga gjërat për të cilat kam folur shumë është adresimi i kërcënimit nga Kina në disa fronte. Kjo lidhet drejtpërdrejt me arsyen pse një milion amerikanë vdiqën dhe pse CIA ka qëndruar mënjanë për pesë vite, pa dhënë një vlerësim të qartë mbi origjinën e COVID-19.
Ratcliffe theksoi se agjencitë e inteligjencës duhet të përqendrohen më shumë në transparencë dhe të identifikojnë origjinën e saktë të pandemisë, duke përmendur rrezikun që paraqet Kina në shumë aspekte globale.
Instituti i Virologjisë në Wuhan ka qenë prej kohësh në qendër të debateve ndërkombëtare mbi origjinën e COVID-19, ndërsa autoritetet kineze kanë mohuar çdo përfshirje ose incident laboratorik. Vlerësimi i CIA-s dhe mbështetja e tij nga drejtori Ratcliffe pritet të nxisin diskutime të reja mbi përgjegjësinë dhe masat e ardhshme për të parandaluar shpërthime të ngjashme në të ardhmen.