Vladimir Putin mbërrin në Pekin, takohet me Xi Jinping: Kina dhe Rusia do të ruajnë drejtësinë në botë

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Kinë për një vizitë zyrtare. Kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit, që pas rizgjedhjes si kreu i shtetit rus dhe e dyta në Kinë në më pak se një vit.

Lideri rus u mirëprit nga presidenti Xi Jinping në sheshin Tiananmen në Pekin, me të cilin shkëmbeu një shtrëngim të ngrohtë duarsh.

Ceremonia e pritjes ishte përgatitur jashtë derës lindore të Sallës së Madhe të Popullit, ku u organizua një paradë ushtarake në shkallë të vogël. Mësohet nga Ministria e Jashtme kineze se Xi Jinping i ka thënë homologut të tij rus se Kina dhe Rusia do të ‘ruajnë drejtësinë në botë’.

Nga ana tjetër Vladimir Putin është shprehur se lidhjet Kinë-Rusi janë ‘faktorë stabiliteti’ për botën.

‘Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës nuk janë oportuniste dhe nuk janë të drejtuara kundër askujt’, tha Putin.

‘Bashkëpunimi ynë në çështjet ndërkombëtare është një nga faktorët stabilizues në arenën ndërkombëtare’, shtoi ai.