Vjosa Osmani i përgjigjet Grenellit: Turp që manipuloi fjalët e Trumpit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar një konferencë për shtyp në Prishtinë, menjëherë pas kthimit të saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’iu përgjigjur deklaratës së fundit të të dërguarit të ish-presidentit amerikan, Richard Grenell.
Lajmin e bëri të ditur këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili theksoi se sqarimi i plotë do të vijë nga vetë Osmani, pas akuzave të Grenellit se ajo ka manipuluar deklaratat e Donald Trump.
“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump”, ishte reagimi i Grenell, i cili e akuzoi Osmanin se ka shtrembëruar një qëndrim të Trump për situatën në Ballkan.
Reagimi i Grenell erdhi pas një deklarate të Vjosa Osmanit në Uashington, ku ajo u shpreh se ish-presidenti Trump kishte parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia drejt Kosovës “në javët e fundit”.
Deklarata e presidentes u komentua edhe nga opozita në Kosovë. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se nuk ka informacione mbi një ndërhyrje të tillë, por shtoi se veprimet e Serbisë ndaj Kosovës janë të vazhdueshme dhe të pritshme.
“Serbia ka pasur gjithmonë përpjekje për ta penguar Kosovën në funksionimin e saj si shtet. Prandaj, është thelbësore që institucionet tona të jenë të forta dhe të reflektojnë me përgjegjësi”, deklaroi Deliu-Kodra.