Vizita e Viktor Orban në Shqipëri: Orban: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE/ Rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbán, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Kryeministri Rama zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun hungarez, që u pasua nga takimi me dy delegacioneve.

Në kuadër të bashkëpunimit mes vendeve, gjatë takimit të sotëm u nënshkruan: Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë për zhvillimin e një bashkëpunimi më të madh në fushën e Integrimit Europian, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të ujit ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore të Shqipërisë dhe ministrisë së Brendshme të Hungarisë.

EDI RAMA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË: I nderuar Kryeministër, Shumë i dashur Viktor! Është një nder dhe një kënaqësi e posaçme, jo thjeshtë sepse duhet thënë për formalitet diplomatik, por sepse vizita e kryeministrit të Hungarisë sot në Tiranë është vizita e një miku të vjetër do thoja dhe të palëkundur të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjitha kohët. Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e Bashkimit Europian. Hungaria dhe kryeministri Orban në mënyrë të veçantë siç e thashë qysh në fillim, e kanë mbrojtur vijimisht pa kushte procesin e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në BE. Nga ana tjetër unë i jam mirënjohës Kryeministrit dhe qeverisë së tij për faktin se kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm me fjalë në instancat europiane, por ka qenë një mbështetje e konkretizuar me ekspertizë të vënë në dispozicion për qeverinë tonë në të gjithë aspektet dhe sektorët ku ne kemi kërkuar mbështetje, si dhe në kuadrin e projekteve të binjakëzimit të fondit të Ballkanit Perëndimor. Kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe shpresoj shumë edhe në fushën e turizmit. Turizmi është bërë një urë shumë e rëndësishme lidhëse mes nesh.Turistët nga Hungaria shtohen në numër çdo vit. Ata janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Hungari dhe në këtë fazë, ne besojmë shumë që është koha për të menduar dhe për investime që nga Hungaria, e cila ka sot një industri ekselence në turizëm, është një vend që nuk ka bekimin të ketë një det, por që ka një ekonomi të turizmit që është ndër më të vibrantet në Europë sot.Edhe një herë Kryeministër, shumë mirënjohje për gjithçka! Shumë faleminderit për vizitën! 

Orban falenderoi Ramën për ftesën. Ai u shpreh se ka ardhur disa herë në Shqipëri ndërsa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Lideri i Hungarisë  hodhi kritika për procesin e avashtë të zgjerimit të BE-së të cilin e konsideroi si të “turpshëm” dhe “vetëvrasës”. Prandaj, ai theksoi se Hungaria do të mbështesë gjithmonë anëtarësimin e Shqipërisë dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

VIKTOR ORBAN KRYEMINISTËR I HUNGARISË:Por është e papranueshme dhe është e turpshme se sa avash po ecën ky proces i zgjerimit të BE-së. Pashë axhendën dhe shikoj që Shqipëria ka duruar mund të them 13 vjet për të arritur deri në fillimin e negociatave për anëtarësim. Pas 10 vjetësh nëse persektivat janë të sakta mendoj se vetëm Gjermania do të ngelet në 10 vendet më të zhvilluara të botës sepse nëse zgjerimi i BE-së do të ecë me ritëm kaq të ngadaltë mund të them se është një ritëm vetëvrasës. Nuk e di si do t’ia bëjë Europa në të ardhmen.

Sipas Orban, Shqipëria ka kapacitet rritjeje. Sipas tij, Ballkani Perëndimor mund të sjellë zhvillim në Europë. Kjo për arsye sepse Orban mendon që “rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan”.

VIKTOR ORBAN KRYEMINISTËR I HUNGARISË: Si mund ta konsiderojmë sot Ballkanin Perëndimor dhe sidomos anëtarësimin e tyre në Europë? Është një problem apo mundësi? Ajo që kam dashur që them për kolegët e mi është përpiqeni të imagjinoni Europën e sotme, Sllovenia, Hungaria, Polonia, Çekia, Kroacia, nuk janë anëtarë të BE-së? Cila do të ishte pamja e zhvillimit të Europës së sotme? Nuk do të kishim rritje ekonomike. Mendoj se kemi rritje ekonomike në BE jo vetëm 0 pikë disa përqind, sepse ne vendet e BE-së, vendet e Europës qenddrore dhe lindore kemi sjellë si zhvillim në Europë. Është ajo që shpresojmë se do të sjellë Shqipëria. Është ajo që ne mendojmë se do të sjellë Ballkani Perëndimor në këtë drejtim. Shqipëria ka kapacitet rritjeje dhe zhvillimi dhe Europa nuk do të ngelet pas në këtë ecje globale, në këtë zhvillim global, përgjigja është e thjeshtë, rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan. Nuk gjenden vende të tjera të Europës që kanë rezerva në rritje dhe zhvillim qoftë ekonomik dhe politik. Për këtë arsye kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet në BE.