Vizita e Starmer në Tiranë, Sky News: Pse Shqipëria tha “JO” për kampet e refugjatëve, incidenti me David Cameron në 2024

Sky News raporton se kryeministri britanik Keir Starmer, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, u përball me një refuzim të qartë nga qeveria shqiptare për planet për krijimin e “qendrave kthimi” për emigrantët që dëbohen nga Mbretëria e Bashkuar. Ndërsa Starmer tha se janë duke u zhvilluar diskutime formale me disa vende për këto qendra, Shqipëria ka konfirmuar se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë, duke preferuar të qëndrojë “besnike” ndaj marrëdhënieve të saj me Italinë.

Shqipëria thotë “jo” për kampet e refugjatëve

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e krahasoi raportin e vendit të tij me Italinë si një “martesë”, ndërsa marrëdhëniet me vendet e tjera i përshkroi si “thjesht dashuri”. Refuzimi vjen pas tensioneve të mëparshme diplomatike, përfshirë një incident në vitin 2024, kur ish-ministri i jashtëm britanik David Cameron e shkurtoi një vizitë të shumëpritur në Tiranë në vetëm 89 minuta, duke shkaktuar pakënaqësi në qeverinë shqiptare.

Qendrat e kthimit dhe sfidat ligjore

Sipas Sky News, qendrat e kthimit janë struktura për emigrantët që kanë ezauruar të gjitha mundësitë për të qëndruar në Britani, përfshirë aplikimet për azil dhe përpjekjet për viza pune apo studimi. Italia, për shembull, ka ndërtuar dy të tilla në Shqipëri – në portin e Shëngjinit dhe në fshatin Gjader – të afta të presin deri në 36,000 persona në vit, por ato janë aktualisht bosh, pasi një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë për sigurinë e tyre pritet muajin tjetër.

Stigma dhe sfidat diplomatike

Sky News thekson gjithashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve janë dëmtuar nga komentet e ish-sekretares së brendshme britanike Suella Braverman, e cila përmendi një “pushtim” nga “kriminelët shqiptarë”, duke shkaktuar zemërim në Shqipëri. Eksperti për Ballkanin në King’s College London, Andi Hoxhaj, tha për Sky News se Mbretëria e Bashkuar nuk ka arritur të krijojë marrëdhënie të qëndrueshme me Shqipërinë dhe se përpjekjet për qendrat e kthimit ishin “ëndërrime”.

Shpresa për bashkëpunim të mëtejshëm

Megjithatë, bashkëpunimi për shkatërrimin e bandave kriminale mbetet një pikë kyçe në planet e qeverisë britanike, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimeve. Sky News raporton se në samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, pritet që të diskutohen mundësi bashkëpunimi me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa Londra planifikon të presë një samit për Ballkanin Perëndimor në vjeshtën e vitit 2025.