Viti 2024 për tu harruar/ Dështimi në Europian dhe katastrofa në Ligën e Kombeve, kombëtarja me bilanc tejet negativ
Humbja ndaj Ukrainës vulosi një vit kalendarik për tu harruar për kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë zhgënjyen totalisht në Ligën e Kombeve, duke rënë në Divizionin C të kompeticionit. Ecuri që reflektohet edhe në fushën e lojës. Në 13 ndeshje të luajtura në vitin 2024, skuadra e Sylvinho ka regjistruar bilanc negativ, me 4 fitore dy prej të cilave në miqësoret e muajit mars, 2 barazime, atë në nëntor ndaj Republikës Çeke dhe Kroacisë në Europianin e Gjermanisë. Ndërkaq, disfata kundër ukrainasve ishte e shtata dhe ajo më e rënda, pasi na nxori totalisht nga objektivat që kishim në fillim të edicionit të Ligës së Kombeve. Edhe bilanci i golave nuk flet në favorin tonë. Në 13 ndeshje, skuadra ka shënuar 13 gola, me një mesatare prej një goli për çdo 90 minuta. Mbrojtja ka zhgënjyer me 15 rrjeta të pësuar gjatë 2024, për tu shndërruar në një ekip që gabon shpesh në prapavijë.
Shqipëria mori një humbje të hidhur në Ligën e Kombeve me rezultatin 1-2 në “Arenën Kombëtare” përballë Ukrainës, duke e mbyllur Grupin B1 në vendin e fundit dhe duke rënë kështu në Ligën C. Shqipëria do të luajë edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve në Ligën C, ku mbylli Grupin B1 me 6 pikë.
Kombëtarja njohu kundërshtarët që do të ketë përballë në kualifikueset e Botërorit 2026. Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën, teksa UEFA ka publikuar edhe kalendarin e plotë të Shqipërisë në këtë kompeticion. Kuqezinjtë do ta nisin rrugëtimin në transfertë ndaj Anglisë. Ndeshja e parë është planifikuar të luhet më 21 mars 2025, në orën 20:45. Pas 3 ditësh, më 24 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Andorrës, në orën 20:45. Dy ndeshjet e radhës janë në qershor 2025. Ndeshja Shqipëri – Serbi do të luhet më 7 qershor, në orën 20:45. Pas 3 ditësh, më 10 qershor, kuqezinjtë do të udhëtojnë në transfertë për t’u përballur me Letoninë. Takimi do të luhet në orën 20:45.
Në shtator, skuadra kuqezi do të luajë vetëm një ndeshje në shtëpi. Takimi Shqipëri – Letoni do të luhet më 9 shtator, në orën 20:45. Edhe në tetor, në program është vetëm një ndeshje në transfertë. Ndeshja Serbi – Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor, në orën 20:45. Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026 në muajin nëntor. Sfida Andorrë – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në orën 20:45. Ndeshja e fundit do të luhet në stadiumin kuqezi “Arena Kombëtare”. Supersfida Shqipëri – Angli do të luhet më 16 nëntor, në orën 20:45.
Mosha mesatare e Kombëtares kuqezi të aktivizuar nga trajneri Silvinjo për vitin 2024 është 27,11 vite. Ky është përfundimi i studimit të bërë nga Observatori i Futbollit Cies që publikoi renditjen e përfaqësueseve europiane. Shqipëria pozicionohet në vendin e 28. Mesatarja e moshës së lojtarëve të aktivizuar në përfaqësuesen dardane për këtë vit është 27.59 vite. Te kuqezinjtë pjesa dërrmuese e futbollistëve të grupmoshës 25-29 vjeç ka përqindjen më të lartë të aktivizimit për minuta, me 42.3. Nën 21-vjeç janë rreth 9% e tyre, ndërsa gati 29% janë të grupmoshës 22-25 vjeç. Lojtarët mbi 30 vjeç kanë përqindje aktivizimi për minuta 19.9.