Vijon përhapja e zjarreve në jug të vendit — Në Qafë Gjashtë të Sarandës digjet pylli, forcat zjarrfikëse në terren
Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Qafë Gjashtës, në anën e Lëkursit, në territorin e Bashkisë Sarandë. Sipas informacioneve zyrtare, në vendngjarje janë angazhuar menjëherë forcat e MZSH Sarandë me një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe rrezikut për përhapje të flakëve, në mbështetje të zjarrfikësve të Sarandës janë nisur edhe mjete dhe efektivë nga bashkitë përreth. Konkretisht, një mjet me tre efektivë është nisur nga MZSH Delvinë, një tjetër mjet me tre efektivë nga MZSH Konispol, si dhe një mjet me tre efektivë nga MZSH Finiq.
Aktualisht, forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa situata mbetet e ndërlikuar për shkak të erës dhe temperaturave të larta. Nuk raportohet për rrezik për banesat deri në këto momente, por autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të zonës të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet pranë vatrës së zjarrit.
Në zonat malore dhe pyjore të jugut të vendit, këtë periudhë, rreziku nga zjarret mbetet i lartë për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta. Autoritetet apelojnë për vigjilencë dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve.