Vijon lufta me flakët në vend! 19 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 6 ende aktive – mbi 65 hektarë të djegura

Shqipëria vijon të përballet me situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa qarqe të vendit gjatë ditëve të fundit. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një përditësim mbi situatën, duke bërë me dije se në 24 orët e fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten ende aktive.

Zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, duke djegur gjithsej rreth 65 hektarë bimësi në të gjithë vendin. Vatrat më problematike aktualisht janë në:

-Elbasan: Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, ku ndërhyrja për shuarjen e plotë vijon edhe sot.

-Finiq: Midis fshatrave Grazhdan dhe Malçan, në zonën lindore të Leshnicës së Poshtme. Zjarri është aktiv, por larg zonës së banuar.

-Vlorë: Në zonën “Sotiran”, ndërmjet Tragjas dhe Dukatit (Orikum), me tri vatra të shpërndara që për shkak të terrenit vështirësojnë ndërhyrjen.

-Poliçan: Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, ku rreth 50 ha janë përfshirë nga flakët.

-Bulqizë: Në zonën e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, ku zjarri është shtrirë drejt “Malit të Bardhë” për shkak të erës dhe temperaturave të larta.

-Malësi e Madhe: Në “Bjeshkët e Parrusë”, ku ka pasur riaktivizim të flakëve dhe po ndërhyhet në terren.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 362 forca operacionale, 37 automjete zjarrfikëse, 8 automjete të rënda, si dhe 104 efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje dhe mjete speciale, përfshirë pompa thithëse dhe traktorë me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme në pjesën më të madhe të vendit parashikohet nivel rreziku “i lartë” për zjarre, ndërsa në qarkun e Durrësit, rreziku varion nga “i moderuar” në “i lartë”, kryesisht në zonat jugore.