Vijon i nxehti përvëlues në Europë, temperaturat arrijnë 40°C – Alarme shëndetësore në disa vende
Europa vijon të përballet me një valë të nxehti përvëlues, e cila ka përfshirë veçanërisht rajonet jugore të kontinentit, me temperatura që variojnë nga 30 deri në mbi 40 gradë Celsius, duke shkaktuar alarme shëndetësore dhe mjedisore në shumë vende.
Franca, Italia, Portugalia dhe Spanja janë ndër vendet më të prekura nga kjo situatë ekstreme. Meteorologët parashikojnë që kushte të ngjashme do të vazhdojnë edhe sot, me temperatura të larta në qytetet kryesore evropiane.
Ja si paraqitet situata e temperaturave:
- Roma, Madrid, Bolonja: 36°C
- Athinë, Napoli: 35°C
- Lisbonë: 34°C
- Zagreb: 33°C
- Paris: 32°C
- Londër: 31°C
Në rajonin e Extremadurës në Spanjë pritet që termometri të kapë shifrën 40°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin e qytetarëve, sidomos për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Në Itali, plot 27 qytete ishin në gatishmëri të lartë ditën e diel për shkak të rritjes së temperaturave. Ndërkohë në Francë, 84 nga 96 departamentet kontinentale janë vendosur në nivelin “portokalli” të alarmit për nxehtësi, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
“Kjo është e paprecedentë,” deklaroi Agner Pannier-Runacher, ministrja franceze e Tranzicionit të Ekologjisë, duke theksuar se vala e të nxehtit është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike dhe kërkon masa urgjente për mbrojtjen e popullsisë.
Autoritetet në disa vende kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe hidratim të vazhdueshëm. Situata mbetet nën vëzhgim intensiv nga shërbimet meteorologjike dhe emergjencat civile në të gjithë kontinentin.