Vidhnin karburant nga makina të parkuara në Breshia, arrestohen dy shqiptarë!
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Shtetit Italian në Breshia, pasi u kapën në flagrancë teksa vidhnin karburant nga automjete të parkuara në rrugë.
Ngjarja ndodhi në zonën via Buozzi, pas një sinjalizimi nga një qytetar, i cili kishte vënë re një automjet të dyshimtë dhe njoftoi menjëherë numrin emergjent 112.
Qytetari i vëmendshëm i ndoqi nga larg autorët, duke informuar se ata ishin zhvendosur në via Rosselli, pranë një kompanie private, ku po përpiqeshin të kryenin një tjetër vjedhje.
Brenda pak minutash, patrullat e policisë identifikuan dhe ndaluan makinën e përdorur nga dy të dyshuarit. Njëri prej tyre ishte fshehur mes sediljeve, ndërsa gjatë kontrollit në mjet u zbuluan pesë bidona me naftë të vjedhur, mjete për vjedhje, si kaçavida, dhe dy thika me mbyllje automatike, të cilat ishin fshehur nën sedilje.
Bashkëpunëtori i dytë tentoji të arratiset në këmbë, duke hyrë në një ndërtesë të afërt, por u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër.
Autoritetet italiane bënë të ditur se të arrestuarit janë P.E., 42 vjeç dhe C.H., 39 vjeç, të dy në gjendje të parregullt qëndrimi në Itali dhe me precedentë penalë të mëparshëm. Ata u shoqëruan në komisariat, ku iu morën shenjat daktiloskopike dhe më pas u arrestuan për vjedhje të mbetur në tentativë në rrethana rënduese, si dhe për mbajtje të paligjshme të armëve të ftohta dhe mjeteve të thyerjes.