Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për cilësinë e tunelit të Murrizit, duke theksuar se çdo vepër infrastrukturore e ndërtuar nga qeveria e tij është në përputhje me standardet evropiane.
Në rubrikën e tij të zakonshme “Sy m’sy” në Facebook, Rama iu përgjigj një komentuesi që pretendonte se tuneli i Murrizit është ndërtuar jashtë standardeve evropiane.
“Jo vetëm ai tunel, por çdo vepër infrastrukture që ne ndërtojmë, rrugë, shkollë, spital, është vetëm e standardeve evropiane, sepse ne e kemi ndarë mendjen: do ta bëjmë këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian deri në 2030. Kjo do të thotë që jo vetëm çdo shqiptari do t’i japim një pasaportë evropiane, por edhe Shqipërinë do ta pasaportizojmë në Evropë”, u shpreh Rama.
Në një koment tjetër, një qytetar e akuzoi qeverinë për korrupsion dhe shpërdorim fondesh, duke shkruar:
“Vidhni, vidhni, se edhe pak ju ka ngelur”. Në përgjigje, Rama ironizoi duke i drejtuar komentuesit fjalët:
“Pse e thua llafin e keq, Palok? Megjithatë, ti duhet ta dish që kjo vepër është bërë me PPP. Dhe i ka kushtuar këtij shteti shumë më pak se sa do i kushtonte nëse privati mos të ishte i detyruar nga kontrata që t’i bënte me shpenzimet e veta koston e të papriturës kur plasi uji”.
Tuneli i Murrizit, pjesë e aksit Arbri, pritet të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Dibrës në vetëm dy orë, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen mes dy rajoneve.