VIDEO/ Vijon sot turin e takimeve me diasporën, Rama mbërrin në Milano

MILANO- Pas takimit me shqiptarët e Athinës, kryeministri Edi Rama ndal sot turin e diasporës në Itali.

Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama ka mbërritur në Milano dhe është nisur drejt pallatit të sportit në Busto Arsizio, lokalitet afër qytetit të Milanos, ku edhe do të mblidhen emigrantët shqiptarë nga të gjithë qytetet e Italisë. Shqiptarja.com sjell edhe pamjet nga atmosfera e pritjes së Ramës ku nuk munguan flamujt kombëtar dhe këngët shqiptare.

Kryeministri në një postim tregon përgatitjet për takimin në pallatin e sportit ndërkohë që shton se është më i madh se ai në Athinë.

Dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë’ shkruan Rama sot në mëngjes.

Lidhur me këtë takim, zv presidenti i shoqatës së Diasporës në Itali Dritan Trimçe tha për Report Tv disa ditë më parë se emigrantët janë ftuar përmes rrjeteve sociale t’i bashkohen takimit.

Pas Milanos, Rama do të takohet me shqiptarët e Londrës në 2 qershor dhe 16 qershor në Düsseldorf.