VIDEO/ Kaos në rrugë, drejtuesit e monopatinave shkelin ‘’me dy rrota’’ kodin! Gati 1 mijë të plagosur për një vit!

Në rrugët e Tiranës, përdorimi i monopatinave elektrike po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, por fatkeqësisht, shpesh edhe i rrezikshëm. Shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e këtyre skuterave është kthyer në një problem serioz për sigurinë rrugore. Shumë prej tyre nuk përdorin kaska mbrojtëse, siç e kërkon ligji, duke rrezikuar jetën në rast aksidenti. Po ashtu, nuk veshin jelekun fosforeshent, sidomos gjatë orëve të natës duke u bërë thuajse të padukshëm për drejtuesit e automjeteve.

Në disa video të siguruara nga Replikë.al, mosrespektimi i semaforëve dhe mospasja e përparësisë në kryqëzime janë sjellje të zakonshme që vënë në rrezik këmbësorët dhe automjetet.

Një tjetër shqetësim është fakti që monopatinat po përdoren nga fëmijë të mitur, shpesh pa mbikëqyrje dhe në shumë raste, dy persona hipin në të njëjtën monopatinë, gjë që është e ndaluar dhe shumë e rrezikshme. Përveç kësaj, drejtuesit lëvizin shpesh me shpejtësi të lartë, tej normave të lejuara, duke mos respektuar as kushtet e trafikut dhe as sigurinë e kalimtarëve.

Statistikat janë alarmante! Vetëm në vitin 2024, 700 persona janë lënduar në aksidente që përfshinin monopatina elektrike. Në 2025, deri më tani janë regjistruar 220 të lënduar.

Disa vende kanë shkuar edhe më larg, duke i ndaluar plotësisht monopatinat elektrike për shkak të rrezikut të lartë dhe mungesës së kontrollit: Melburn (Australi), Irlanda, Britania e Madhe, Singapori, Franca, Malta, Finlanda.

Por çfarë parashikon ligji në Shqipëri?

Sipas ndryshimeve në Nenin 180 të Kodit Rrugor, drejtuesit e biçikletave dhe patinave elektrike duhet të respektojnë një sërë rregullash për të garantuar sigurinë në rrugë:

Lëvizja duhet të bëhet në krahun e djathtë dhe në pistat e dedikuara kur ato ekzistojnë. Nuk lejohen lëvizjet e papritura apo zigzage që mund të rrezikojnë të tjerët.

Sinjalizimi me dorë është i detyrueshëm kur ktheheni majtas, djathtas ose ndaloni.

Kaskat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe duhet të jenë të çertifikuara sipas standardeve të BE-së (me markën CE).

Gjatë natës ose në kushte të motit të keq, mjetet duhet të jenë të pajisura me ndriçim dhe sinjalizues pamor. Nëse nuk i kanë, nuk lejohen në rrugë.

Kur rruga është e dendur me trafik ose në raste të veçanta, biçikleta ose patinat duhet të shtyhen me dorë, jo të ngiten.

Lejohet transportimi i një fëmije deri në 6 vjeç, por vetëm me një ndenjëse të sigurt e të përshtatshme, e vendosur në mënyrë që të mos pengojë drejtimin dhe të mbrojë fëmijën.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)