VIDEO/ Dita e Tokës, studentët e UAMD me prof. Fortuzin, pjesë e Marshimit për Edukimin Mjedisor
Me rastin e Ditës së Tokës studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, nën drejtimin e Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, marshuan sot për të rritur ndërgjegjësimin për edukim mjedisor dhe riciklim.
Me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe Zyrës Vendore Arsimore, u zhvillua ky aktivitet duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit për një Shqipëri më të pastër dhe të qëndrueshme.
Siç shihet dhe nga pamjet që Replikë ka siguruar, studentët së bashku me gjimnazistët e “Olsi Lasko” dhe nxënësit e Shkollës “Hasan Koçi”, marshuan nga Stacioni i Trenit drejt Urës së Dajlanit, duke simbolizuar bashkimin e përpjekjeve për një mjedis më të shëndetshëm.
“Përpjekjet e përbashkëta janë thelbësore për të luftuar ndotjen plastike dhe për të nxitur një kulturë të qëndrueshmërisë nga shkollat deri në universitet dhe veprimtaria e sotme është një shembull i shkëlqyer i angazhimit qytetar dhe i bashkëpunimit ndërinstitucional”, u shpreh Prof. Dr. Fortuzi.