VËZHGIMI/ Dështon premtimi i AKSHI-t për inteligjencën artificiale, zero progres në inovacion dhe dixhitalizim

Inteligjenca artificiale në shërbim të qytetarëve për të zhdukur korrupsionin e administratës. Ky është edhe synimi i shpallur nga qeveria shqiptare në fundin e vitit 2023, si një kalë beteje për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Por çfarë ka ndodhur? Nga fundi i dhjetorit të vitit 2023 e deri më sot, nuk ka asnjë procedurë reale që do ta çonte përpara procesin. Tenderi i shpallur në fund të vitit 2023, u anulua nga AKSHI, pasi nuk pati asnjë ofertë të denjë, ndërsa në arsyetimin zyrtar, institucioni i vënë në qendër të akuzave përgjatë muajve të fundit, asnjë nga kompanitë nuk përmbushte kriteret për të garuar.

Por çfarë ka ndodhur? Tashmë bashkë me AKSHI-n, në terren për dixhitalizimin është edhe Agjencia e Inovacionit dhe Ministria e Inovacionit. Të treja ‘janë në gjumë’ dhe premtimi për një qeverisje ku inteligjenca Artificiale do të ulte korrupsionin ende nuk ka hyrë në rrugë.

Në shkurt të këtij viti, të gjitha shërbimet online u paralizuan për shkak të problemeve në sistemin e vulës dixhitale, për të cilin për kohë me radhë u planifikua dhënia me koncesion. Anulimi i koncesionit la në mes edhe punën për përmirësimin e platformës. Por a kontribuoi rastësisht AKSHI në sabotimin e shërbimeve për të dhënë mesazhin se anulimi i koncesionit ishte një ide e keqe?

Rastësitë shtohen kur kujtojmë se sistemi i Kadastrës, për të cilin u tha 4 herë se do të ishte në perfeksion, ra dhe pamë gjendjen më të keqe në 11 vite qeverisje.

Për muaj me radhë, AKSHI pretendoi se situata ishte përmirësuar por siç edhe u pa, sistemi përsëriti problemet për ditë me radhë. Nga ana tjetër qytetarët ende denoncojnë se aplikimet nuk funksionojnë siç duhet. Shumë nuk marrin përgjigje, e të tjerë i marrin ato jashtë afatit. Do të mjaftonte një raport i thjeshtë për kohën e trajtimit të aplikimit për të parë sesa ka dështuar apo funksionuar ky sistem. Kush janë përgjegjësit? /ZËRI