“Vetëvendosja” e Kurtit, favorite – zgjedhjet në Kosovë në fokusin e mediave ndërkombëtare, ja si i analizojnë

Mediat ndërkombëtare kanë kthyer sot vëmendjen nga Kosova, ku po mbahen zgjedhjet parlamentare, të cilat po cilësohen si vendimtare për të ardhmen politike të vendit dhe për kryeministrin Albin Kurti.

Gazeta britanike The Independent shkruan se këto zgjedhje janë një test kyç për Kurtin, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, kishte arritur një fitore të madhe katër vite më parë. “Kjo është hera e parë që nga pavarësia në vitin 2008 që parlamenti i Kosovës përfundon një mandat të plotë katërvjeçar,” shkruan gazeta, duke shtuar se rezultatet e votimit do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në linjë të ngjashme, Reuters thekson se zgjedhjet po mbahen në një situatë të turbullt, e cila përkeqësohet nga tensionet me Serbinë. Ndërsa The Washington Post e konsideron Vetëvendosjen si partinë kryesuese, por thekson se Kurti mund të mos arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur i vetëm, duke hapur mundësinë për koalicione me partitë e tjera.

Në artikullin e saj, Euronews vë në dukje premtimet e mëdha gjatë fushatës zgjedhore për rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe luftën kundër varfërisë. Megjithatë, Euronews vëren se partitë nuk kanë ofruar shpjegime të qarta se si do të financohen këto projekte.

Përveç Vetëvendosjes, konkurrentë kryesorë janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), liderët kryesorë të së cilës janë në Hagë të akuzuar për krime lufte, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia më e vjetër në vend, e cila ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes pas vdekjes së liderit historik Ibrahim Rugova.