Vetëm pak orë pas shkarkimit nga Putin, gjendet i pajetë ministri rus i Transportit

Ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur vetëm disa orë pas shkarkimit nga Presidenti Vladimir Putin. Mediat ruse raportojnë se ai ka ndërruar jetë në një vetëvrasje të dyshuar pranë Moskës, ndërsa pranë trupit të tij është gjetur një armë zjarri.

Shkarkimi i Starovoit erdhi si pasojë e kaosit ajror në hapësirën civile ruse, i shkaktuar nga sulmet masive me dronë ukrainas gjatë fundjavës, që çuan në anulimin e afro 300 fluturimeve në aeroportet kryesore të vendit.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare mbi shkaqet konkrete të vdekjes së tij. Vetë Kremlini, në njoftimin për shkarkimin, nuk dha asnjë shpjegim të detajuar për vendimin e Presidentit Putin.

Roman Starovoit kishte shërbyer më herët si guvernator i rajonit Kursk, përpara se të emërohej ministër i Transportit në maj të vitit 2024. Vdekja e tij vjen mes tensioneve në rritje të sigurisë dhe kritikave për menaxhimin e sulmeve të përsëritura me dronë në brendësi të territorit rus.