Vetëdorëzimi i motrave Berisha dhe skena e dhunës tek Kodra e Diellit, reagon për herë të parë për REPLIKË, KLEA PRENGA: Ishte një traumë që nuk do ta kaloj lehtë. Do kisha dëshirë të…

Teksa motrat Antonela dhe Mariela Berisha u vetëdorëzuan dy ditë më parë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për t’u përballur me akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe masën e dhënë nga Gjykata në mungesë, ka pasur edhe reagime dhe peshë të madhe mediatike. Kjo për shkak të sensacionit që krijoi si çështje, pasi dy vajza relativisht të reja në moshë, dhunuan për motive banale, një blogere 24 vjeçare, e njohur si Klea Prenga. Mariela Berisha, qëlloi me një gotë të qelqtë në fytyrë Klea Prengën, ndërsa shoqërohej në këtë akt nga motra e saj, një personazh i njohur televiziv, Antonela Berisha, duke i shkaktuar të resë, ashtu siç e ka përcaktuar edhe eskpertiza mjeko-ligjore:

Plagë të parikuperueshme vetvetiu apo me metoda speciale mjekësore a kirurgjikale. Klea Prengës i është shkaktuar “shëmtim” i fytyrës, për pasojë, plagosja hyn në një kategori të rëndë.”

Pra një vajzë e re, do të jetojë përjetësisht me një shenjë të parikuperueshme. Motiv, siç kanë thënë motrat Berisha, ka qenë lidhja që Prenga kishte krijuar me babain e djalit të Mariela Berishës, lidhje për të cilën, e reja është shprehur se e ka krijuar pasi ai ka qenë i ndarë nga nëna e djalit. Klea Prenga ka pasur reagime të shumta, por vetëm përmes llogarisë së saj në Instagram, e po ashtu ka depozituar në organet kompetente të gjitha të dhënat dhe mesazhet e mëhershme që motrat Berisha kanë bërë në drejtim të saj, me përmbajtje kërcënuese dhe shantazhuese.

Ditën e djeshme, për herë të parë pas 2 muajsh, Klea Prenga, vajza 24-vjeçare që u përball me një sulm brutal në një ambjent publik, si një skenë dhune e paparë shpesh në Tiranë e jo vetëm, ka reaguar me një mesazh dërguar gazetares Aida Topalli. Ajo shprehet se është në gjendje të rënduar psikologjike dhe se do të donte të dilte edhe publikisht për të folur, por nuk ndihej mirë momentalisht. Për këtë arsye, theksoi ajo në bisedë, i kam kaluar të gjitha të drejtat për të folur në emrin tim, avokatit mbrojtës.

Reagimi i Klea Prengës për REPLIKË:

Shumë faleminderit nga zemra, rasti ishte i rëndë dhe për mua është traumë që nuk do kaloj lehtë. Do kisha dëshirë të dilja e të flisja por nuk jam në gjendje. Çdo deklaratë apo informacion zyrtar do të jepet nga avokati im në emrin tim. Nëse jeni të interesuar, avokati im është i gatshëm të japë një deklaratë që sot në emrin tim.”

Klea Prenga ka dhënë edhe një përgjigje për të gjitha aludimet se ka një pajtim mes saj dhe motrave Berisha. Në Instastory ajo shkruan se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë dhe se e vetmja gjë që kërkon është që drejtësia të vihet në vend. Ajo iu bën thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të bëjnë një process të drejtë, pasi pasojat për të janë të mëdha.

Mbrëmjen e 6 gushtit 2024, në një restorant tek “Kodra e Diellit”, Klea Prenga darkonte me miqtë e saj, kur në lokal janë shfaqur motrat Antonela dhe Mariela Berisha, kjo e fundit, ka shkuar dhe e ka qëlluar në fytyrë të renë më një gotë qelqi. Pas reagimit në Instagram të Klea Prengës, ku shfaqi dëmtimet e shkaktuara, virale  bë edhe videoja e momentit të ngjarjes, si një nga aktet e dhunës më brutale të ndodhura së fundmi në Tiranë. Ka dyshime dhe të dhëna se Mariela Berisha të ketë probleme edhe  me drejtësinë italiane për të njëjtat skena, por edhe për akte të tjera të jashtëligjshme.

 

*Ky artikull është ekskluziv i REPLIKË. Çdo ripublikim nevojitet të shoqërohet me citim të burimit zyrtar.