“Vendosini në gjumë burrat që duan të votojnë kënetën”/ Rama nga Durrësi: Demokratët ta shërojnë partinë e tyre duke mos e votuar
Gjatë një takimi me vajzat dhe gratë në qytetin e Durrësit, kryeministri Edi Rama, lëshoi një mesazh të fortë ndaj Partisë Demokratike dhe mbështetësve të saj.
Duke e cilësuar PD-në si një “parti të sëmurë”, Rama tha se mënyra për të nisur shërimin e saj është përmes mosvotimit. Ai iu drejtua demokratëve të pranishëm në Durrës, duke u bërë thirrje që të ndihmojnë në “tharjen e kënetës” politike për të sjellë një rilindje të re.
“Këtu në Durrës keni demokratë boll. Ju mund ta shëroni atë parti duke lënë që të thahet ajo kënetë dhe të rilindë diçka tjetër,” deklaroi Rama.
Në një moment të veçantë të fjalës së tij, ai iu drejtua me humor edhe vajzave të reja, duke i këshilluar që të “testojnë” partnerët e tyre përmes bindjeve politike.
“Nëse keni ndonjë që pretendon të jetë burri i jetës dhe do të votojë për kënetën, vendoseni në gjumë! Bëni testin… Nëse janë çyrykë në kokë, nuk bëjnë as për të ndarë çajin,” u shpreh kryeministri.