Emocionet e debutimit në kualifikueset e Euro 2024 kanë nisur të ndihen më të forta tek kombëtarja shqiptare.
Kuqezinjtë janë gati për të sfiduar Poloninë, një duel me tepër interes për vazhdimësinë drejt turneut gjerman të vitit të ardhshëm. Në prag të këtij dueli, UEFA ka bërë me dije edhe arbitrat e sfidës.
Do jetë slloveni Slavko Vincic ai që do vendosë drejtësinë në Varshavë. 43-vjeçari është ndër emrat e njohur të arbitrimit në Europë, teksa ishte kryesor në fitoren 7-0 të Manchester City-t kundër Leipzig në Champions League një javë më parë.
Ndër arbitrat më të mirë në Slloveni, Vincic do ketë në dorë drejtësinë në ndeshjen e kuqezinjve në transfertë, duelin që do jetë edhe i pari në pankinë për trajnerin Sylvinho.Ndihmësa të tij do jenë Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic, teksa i katërt Rade Obrenovic. Kryesori i këtij takimi ka qenë pjesë edhe e Kupës së Botës në Katar, duke drejtuar disa duele, mes të cilave Anglinë dhe kampionët e Botës, Argjentinën.