Vendoset tavan për kreditë e shtëpive, Banka e Shqipërisë kufizon huatë për të shmangur rreziqet

Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime të reja për kreditë e shtëpive, duke përcaktuar tavane për huatë që qytetarët mund të marrin për blerjen e banesave. Gjatë një konference për politikën monetare, guvernatori Gent Sejko bëri të ditur se për shtëpinë e parë, shuma maksimale e kredisë do të jetë deri në 85% të vlerës së pasurisë, ndërsa për shtëpinë e dytë deri në 80%.

Për kreditë në valutë të huaj, kufizimet janë më të rrepta për të shmangur rrezikun nga luhatjet e kursit të këmbimit. Konkretisht, për shtëpinë e parë, vlera maksimale do të jetë 75% e vlerës së pasurisë, ndërsa për shtëpinë e dytë 70%.

Sejko sqaroi se edhe raporti mes këstit të kredisë dhe të ardhurave do të jetë i kufizuar. Për kreditë në monedhën vendase, ky raport do të jetë maksimalisht 40% për banesën e parë dhe 35% për banesën e dytë. Ndërsa për kreditë në valutë të huaj, kësti nuk duhet të tejkalojë 35% të të ardhurave për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Gjatë konferencës, Sejko theksoi se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë e qëndrueshme, ndërsa inflacioni mbetet i rrezikuar nga faktorë të ndryshëm. Ai shtoi se punësimi dhe pagat pritet të rriten, duke përmirësuar mirëqenien e familjeve shqiptare.

Banka e Shqipërisë gjithashtu njoftoi se norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar në nivelin e 2.75%.