Qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm që u mundëson qytetarëve shqiptarë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit, edhe nëse posedojnë karta identiteti apo pasaporta biometrike të skaduara.
Vendimi synon të lehtësojë procesin e votimit për rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e dokumenteve të identitetit. Sipas zëvendësministrit Hoxha, kjo masë do të ndihmojë në garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, veçanërisht ata që jetojnë jashtë vendit.
“Ky akt është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur situatën e krijuar dhe për të shmangur kufizimin e të drejtës kushtetuese të votës,” deklaroi Hoxha.
Sipas udhëzimeve të KQZ-së, shtetasit shqiptarë që kanë dokumente të skaduara do të mund të votojnë pasi të regjistrohen në platformën elektronike të përcaktuar nga autoritetet zgjedhore.
Ky vendim vjen në një moment kyç për procesin zgjedhor, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar.