Velipoja kthehet i gjithi në plazh publik, apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi
Asnjë hapësirë publike në plazhin e Velipojës nuk do të cënohet nga operatorët privatë.
Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga Drejtori i Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi, në nisje të aksionit të ndërmarrë nga Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policinë e Shtetit.
Aksioni i nisur sot do të vijojë për disa ditë me radhë, ndërkohë që Rrustemi ka bërë edhe një apel për qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi.
Në Bashkinë Shkodër është ngritur një task-forcë ndërinstitucionale mes disa drejtorive, me fokus mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Janë marrë masa për menaxhimin e hapësirave publike, hapësirave të gjelbra, zonës pedonale dhe për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për çdo pushues që zgjedh Velipojën për pushimet verore.