Veliaj reagon nga burgu për akuzat e SPAK: Qelizat e telefonit tim kanë dalë 87 herë në Kavajë dhe Rrogozhinë sepse drejtoja fushatën e PS
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga burgu përmes një postimi në rrjetet sociale, duke mohuar akuzat e SPAK dhe duke i cilësuar provat kundër tij si të pabaza.
Në mesazhin e tij, Veliaj shkruan:
“Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur.”
Ai iu referua prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado, dhe argumentoi se një nga provat e përmendura nga SPAK, sinjalet e telefonit të tij në Kavajë, Golem dhe Rrogozhinë, janë të lidhura me angazhimet e tij politike dhe jo me ndonjë pronësi të fshehtë.
“Qelizat telefonike kanë dalë 87 herë në Kavajë dhe Rrogozhinë sepse unë drejtoja fushatën e PS në 2023 dhe 2024. Ja ku janë provat, pamjet dhe takimet në terren. Për këto më kanë mbyllur në burg!”, shkruan ai, duke postuar edhe foto nga aktivitetet e tij politike.
Veliaj mbetet në paraburgim, ndërsa SPAK ka ngritur akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë.
Reagim i Erion Veliajt:
Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar,” tha ai.
“Përshëndetje të dashur miq,
Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.
Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia.
Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.
Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.
Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë.
Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.
Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar.
Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij.
Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët – pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.
Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës.
Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!